PDK: Kryetari Ahmeti vazhdon ta keqpërdor veturën zyrtare

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, nëpërmjet një komunikate ka shprehur shqetësime lidhur me keqpërdorimin e veturave zyrtare të komunës.

Sipas PDK-së vetura e kryetarit të komunës Imri Ahmeti, po lëviz nëpër qytet në mes të natës, madje ndërkohë po parkohet vend e pa vend.

“Kryetari i komunës Imri Ahmeti gjatë ditës së sotme prej rreth një orë e ka lënë veturën zyrtare të parkuar në trotuar, saktësisht në rrugën “Isa Olluri” duke e penguar lëvizjen e qytetarëve. Këtë po ua dëshmojmë edhe me fotografi. Po ashtu vetura zyrtare e kryetarit Ahmeti është parë dhe fotografuar edhe para pak ditësh rreth orës 24:00 nëpër qendër të qytetit të Lipjani”, thuhet në komunikatën PDK-së.

Sipas opozitës qeverisja e kryetarit të komunës Imri Ahmeti, gradualisht e ka marrë rrugën e luksit derisa përveç shpenzimeve të mëdha për dreka e darka zyrtare, ata po shpenzojnë në mënyrë enorme edhe karburante për veturave, madje aq më keq se ato po parkohen vend e pa vend.

“Ne e dimë që kryetari i komunës e ka të lejuar veturën zyrtare 24 orë në ditë, mirëpo çfarë pune po e kryen ai në gjysmë të natës. Ata qe thirren në ligj e në Zot po e shkelin ligjin me dy këmbët”, thuhet në fund të komunikatës së PDK-së.