Partia Demokratike e Kosovës po kërkon themelimin e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të MPJD-së.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi foli për “emërime dhe shkarkime të paligjshme të anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe zyrtarëve të kësaj ministrie”, duke e argumentuar këtë kërkesë. Ndërsa deputetët e maxhorancës kundërshtuan menjëherë. Në emër të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu – Hyseni tha se në parim janë për, por që të hetohej edhe për periudhën para vitit 2021. Ajo tha se “këtë çështje do të duhej ta diskutonim në një seancë tjetër, ku prezen këtu do të ishte edhe ministrja Donika Gërvalla”.
Ajo tha se opozita po kërkon themelimin e këtij komisioni për ta tërhequr vëmendjen nga mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku do të diskutohet për Kosovën.
“Ministrja Gërvalla nuk gjendet këtu sepse është në New York, në Këshill të Sigurimit për ta mbrojtur Republikën e Kosovës përballë kërkesës së Vuçiqit për të diskutuar për Kosovën sot aty. Çka do të duhej të bënim sot ne, do të ishte që bashkërisht do të duhej të ishim në mbrojtje të asaj se si do të prezantohet sot Republika e Kosovës dhe jo të tentohet të tërhiqet vëmendja me një kërkesë të tillë për të krijuar një komision hetimor në një moment kaq të rëndësishëm si ky, që pritet të ndodhë pas pak orësh”, tha deputetja.
“Në një moment tjetër do ta pranonim, por sot jo”, tha Arbëreshë Kryeziu – Hyseni./Express/
BONUS VIDEO: Seanca e Kuvendit, deputetët diskutojnë për zjarret në IML dhe zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit







