PDK-ja e Prizrenit i reagon Komunës rreth mirënjohjeve të ndara për 20 vjetorin e çlirimit

Kuvendi Komunal i Prizrenit dje ka shënuar 20 vjetorin e çlirimit të qytetit me ç’rast ka ndarë edhe mirënjohje në Akademinë Solemne të organizuar me këtë rast.

Por, Dega e PDK-së në këtë qytet po thotë se me këtë veprim Kuvendi Komunal i Prizrenit nuk ka përfillur rregulloren për ndarjen e çmimeve apo mirënjohjeve, të cilën e ka miratuar ky organ.

Kjo, sipas PDK-së në Prizren, është bërë pa bërë ftesë publike për shoqatat, organizatat e grupet tjera, në mënyrë që do t’i propozonin njerëzit meritorë për çlirimin e Prizrenit.

“Është e papranueshme, aq më tepër kur kjo ndodhi në shënimin e jubileut të një date të veçantë historike të qytetit tonë. Procesi është jotransparent, pasi as nuk dihet kush dhe mbi çfarë kriteri i ka bërë propozimet. Po ashtu e konsiderojmë si të papranueshme, që në një ditë si ajo e çlirimit të mos dekorohet edhe komandant Drini, kontributi i të cilit tashmë dihet për çlirimin e Prizrenit”, thotë PDK-ja e Prizrenit në një reagim dërguar mediave.

Po ashtu, kjo Degë e PDK-së thotë se është dashur që në mesin e të nderuarve të ketë edhe personalitete nga komunitetet joshqiptare, të cilët kanë kontribuuar për Prizrenin.

“Përveçse pa kritere, ky proces është edhe me ndikime politike. Tashmë është e qartë se pushteti aktual i Prizrenit, të cilin e udhëheq Vetëvendosja që kritikonte 24-orë, nuk respekton dispozitat ligjore, duke bërë disa shkelje, për vetëm një vit e gjysmë të qeverisjes. Po ashtu në mesin e tyre nuk gjendet as emri i veprimtarit dhe themeluesit të celulave të para të UÇK-së, dëshmorit të kombit, tash heroit Ismail Kryeziut”, ka thënë më tej kjo parti.

PDK-ja konstaton se procesi është bërë pa kriter dhe me ndikime politike.

Më tej, kjo parti thotë se lista do të ishte tepër e gjatë në rast se do të numëroheshin emrat e të gjithë meritorëve, të cilët PDK thotë se kanë kontribuar për çlirimin e qytetit, “por kjo nuk i bënë nderë as atyre e as Komunës, që i ka ndarë, derisa nuk ka përfillje të rregulloreve nga ana e vetë institucionit më të rëndësishëm komunal, i cili i ka aprovuar ato”.

“Mirënjohje iu ndanë edhe disa personaliteteve nga fusha të ndryshme, por edhe në këtë rast njësoj pa kurrfarë kriteri, duke lënë jashtë shumë meritorë. A thua askujt nuk iu kujtua emri i doajenit të mjekësisë kosovare, Primarius Dr. Daut Mustafa? Konsiderojmë se në këtë proces është dashur të përfshihen edhe personalitete nga komunitetet tjera të Prizren”, ka thënë më tej PDK-ja e Prizrenit.

Kjo parti ka hedhur akuza ndaj Kuvendit Komunal edhe për listën e të dekoruarve duke thënë se disa asamblistë opozitarë kanë pyetur nëse kishin votuar për atë listë.

“Ajo që është vërejtur gjatë mbledhjes solemne e pas saj, janë reagimet e disa kuvendarëve opozitarë, të cilët kanë shprehur habi, kur dëgjonin emrat e të dekoruarave, ndërsa ata nuk kishin dijeni dhe pyesnin njëri-tjetrin nëse kishin votuar një listë të tillë”, tha PDK-ja e Prizrenit.

“Krejt në fund, shtrohet pyetja apo degradohet edhe kjo çështje, meqenëse për ndarjen e dekoratave e mirënjohjeve ka një rregullore komunale, të cilën më i thirruri për ta respektuar është pikërisht institucioni që e nxjerr, në këtë rast Kuvendi Komunal i Prizrenit”, përfundon reagimin e saj Dega e PDK-së në Prizren.

Kujtojmë se dje, në sallën e Kuvendit Komunal, u mbajt seanca solemne për nder të 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Prizrenit.

Pas fjalëve të rastit nga kryetari i Komunës Mytaher Haskuka, kryesuesi i Kuvendit Komunal Artan Abrashi dhe përfaqësuesit e grupeve të kuvendarëve, u nda titulli “Nderi i Qytetit” për dëshmorin e kombit, dr. Halil Berisha.

Gjatë kësaj seance solemne u ndanë edhe dekoratat “Remzi Ademaj” për 13 dëshmorë nga Prizreni, të cilët kanë kontribuar në luftën e UÇK-së për liri.

Emrat për të cilët u ndanë dekoratat janë:

Agim Shala

Feriz Susuri

Halim Ahmetaj

Hysen Rexhepi

Hysni Temaj

Nazim Buduri

Nazmi Haki Hasani

Përparim Thaqi

Salajdin Berisha

Sali Saramati

Selver Maqkaj

Xhevat Berisha dhe

Ymer Shala.

Po ashtu në seancë u ndanë edhe mirënjohjet për këta personalitete: Zenel Kabashi, Bedrush Qollaku, Shaban Braha, Qazim Berisha dhe Bujar Gjurgjeala për kontributin në çështjen kombëtare.

Engjëll Berisha, Zita Bashota dhe Albina Marku për kontributin në fushën e muzikës;

Faik Beqaj, Drande Mita Tupeci dhe Myrvet Çavdërbasha Dida për kontributin në fushën e arsimit;

Jëlldëze Gorani, për kontributin në fushën e mjekësisë;

Budim Berisha dhe Zef Toqi për kontributin në fushën e artit;

Agim Maloku për kontributin në fushën e sportit dhe

Hysnije Hisari për kontributin në fushën e arkitekturës.