PDK

PDK-ja e gjen edhe një arsye: Nëse buxheti nuk votohet vihet në rrezik jeta e qytetarëve

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti, situata politike në Kosovë ka ndryshuar, duke vështirësuar edhe më shumë miratimin e buxhetit për vitin 2021.

Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se nuk do ta votojnë miratimin e buxhetit për vitin 2021, ndërsa nga Partia Demokratike thonë se nëse nuk votohet buxheti atëherë, qytetarët do të vihen në rrezik.

Nënkryetari i PKD-së, Shaqir Totaj në një prononcim Express tha se nuk do ta rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Nëse buxheti nuk votohet vihet në rrezik siguria dhe jeta e qytetarëve tanë. PDK-ja nuk llogarit që të merr poena politik në dëm të interesit të qytetarëve. Ne jemi opozitë e qeverisë, por jo edhe opozitë e shtetit dhe qytetarëve”, tha Totaj.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti u ka bërë thirrje përfaqësuesve të partive që ta votojnë miratimin e buxhetit. Ndërsa nëse nuk votohet buxheti dhe shpërndahet Kuvendi, atëherë nga fillimi i vitit nuk mund të ekzekutohet asnjë pagesë.

Projektligji për ndarje buxhetore është sjell në Kuvend të Kosovës nga ana e qeverisë dhe ndodhet në shqyrtim të Komisionit për buxhet dhe transfere në Kuvendin e Kosovës.

Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm është projektuar në vlerë prej 2.4 miliardë euro.

Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është deri në fund të këtij viti.