Kushtetuesja

PDK-ja e dërgon në Kushtetuese Ligjin për KPMShCK

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda ka njoftuar sot se kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

Sipas tij, ka dyshime që Qeveria duke bërë ndryshime në këtë Ligj, e ka shkelur Kushtetutën.

“Sot në Gjykatën Kushtetuese e dorëzuam kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin e Ligjit aktual të KMSHCK-së. Ne siç e dini pothuajse në fillim të këtij mandati e kemi kontestu shkarkimin e anëtarëve të këtij Këshilli në Gjykatën Kushtuese dhe kjo gjykatë na ka dhënë të drejtë dhe ka përcaktuar disa aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të statusit kushtetues të këtij institucione. Fatkeqësisht ky Ligj i shkel ato përcaktime kushtetuese që i ka bërë Gjykata në atë vendim paraprak prandaj ne sot i kemi kontestu prapë ndryshimet që janë bërë në këtë Ligj”, deklaroi ai.

Këtë veprim sipas Grudës, Qeveria e ka bërë për ta nënshtruar dhe kapur këtë organ të pavarur.

“Këto ndryshime e kanë vetëm një qëllim. Ta nënshtrojnë dhe ta kapin organin e pavarur kushtetues, në mënyrë që ai të kthehet në një mekanizëm që i legjitimon, përkrahë, nuk i ndalon punësimet politike, partiake, të militantëve, të familjarëve të qeveritarëve të Kosovës”, ka thënë tutje ai.