PDK akuzon qeverisjen e Haskukës në Prizren për sjellje joinstitucionale dhe jodemokratike.

Dega e PDK-së Prizren ka mbajtur një konferencë ku e ka akuzuar qeverinë e komunës së Prizrenit për sjellje joinstitucionale dhe jodemokratike.

“Partia Demokratike e Kosovës dega në Prizren, shpreh shqetësimin e saj të thellë, në lidhje me vendimin arbitrar të Kryetarit të Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, me ç’rast përmes një konkluzioni të jashtëligjshëm, i cili është në kundërshtim me vendimin e organit më të lartë vendimmarrës në nivel lokal, konkretisht vendimin e vitit 2005, ushtron presion mbi forcat politike opozitare, që përfaqësohen në Kuvendin Komunal të Komunës së Prizrenit”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

“Njoftimi për ekzekutim të dhunshëm, për largim të subjekteve politike nga zyret, të cilat ushtrojnë veprimtaritë e tyre politike legale, që kanë qenë kontributdhënëse në periudha të ndryshme të qeverisjes në Komunën e Prizrenit, paraqet një prej veprimeve më jo institucionaliste, jo parimore dhe aspak demokratike, që nga pas lufta e deri më sot”.

“Mënyra e tillë e veprimit nga Kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, na kujton kohërat më të errëta në historinë më të re të Kosovës, kur regjimi i atëhershëm diktatorial, i nxjerrte njerëzit me dhunë nga zyret, nga shkollat, nga spitalet dhe më në fund edhe nga shtëpitë e tyre me forcë, sikurse tani që është vendimi për largim të dhunshëm me polici, ndaj subjekteve politike të Komunës së Prizrenit”.

“PDK dega  në Prizren, konsideron se arsyetimi i Kryetarit të Komunës së Prizrenit është i paqëndrueshëm, ngase subjektet politike nuk janë organizata të cilat gjenerojnë profit, por veprimtaria e tyre është në shërbim të interesave të qytetarëve të Komunës së Prizrenit, zhvillimit të pluralizmit dhe demokracisë në vendin tone”.

“Andaj, PDK dega në Prizren, kërkon nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, që të tërhiqet nga vendimmarrja jo e ligjshme, në të kundërtën PDK do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtjen e të drejtës, që i’u takon të gjitha subjekteve politike, sipas vendimit të vitit 2005, të organit më të lartë vendimmarrës në Komunën e Prizrenit”, thuhet ndër të tjera.