PD: Kryebashkiaku që konsumon kokainë është Lefter Alla i Bulqizës!

Pak orë pas publikimit të fotove të një kryebashkiaku shqiptar që shihet teksa konsumon kokainë, Partia Demokratike i ka zbuluar këtij të fundit emrin.

Ish- deputeti i PD-së Ervin Salianji ka deklaruar se fjala është për kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla.

“Opinioni publik është tronditur sot nga pamjet sesi kryebashkiaku ilegjitim i Bulqizës, i emëruar nga Edi Rama, është duke konsumuar kokainë.  Kokaina, heroina, kanabisi vjedhja, zhvatja janë cilësitë kryesore të kësaj bande që vjedh vendin. Janë cilësitë e kryeministrit.”-tha Salianji. 

Më tej ish deputeti i PD-së ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë, që sipas tij po kap sistemin e drejtësisë shqiptare. Rasti i emërimit të Artur Metani në krye të Inspektoriatit ë Lartë të Drejtësisë (ILD) është shembulli me i qartë, sipas PD-së, i kapjes së sistemit.

“Janë lidhjet me krimin, babëzia dhe hajdutëria, motivi që e shtyn Edi Ramën të kapë sistemin e drejtësisë. Siç vulosi emërimin anti-kushtetues të Artur Metanit, në krye të ILD. Emërimi, në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Një jurist s’mund të jetë inspektor i lartë, nëse ka mbajtur post politik. Metani, në shkelje të ligjit, pasi ishte këshilltar i presidentit dhe ligji e sqaron qartë që ky është post politik. Dihej që Artur Metani ishte funksionar politik.”-tha Salianji.