Pavarësisht vendimit për ndalimin e lojrave të fatit, aktiviteti i tyre vazhdon ‘online’ (FOTO)

Grupi Parlamentar i LDK-së, muaj më parë kishte propozuar projekt-rezolutën për mbylljen e lojrave të fatit.

Kjo rezolutë, ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës me 74 vota për më 22 Mars të këtij viti.

Sipas Shefit të Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hotit, kjo është zgjedhja më e mirë që të ndalohen incidentet si vrasjet e grabitjet që kishin ndodhur në lokalet ku zhvilloheshin aktivitete të tilla.

Ligji hyri në fuqi automatikisht më 16 Prill, ndërsa këto biznese kanë pasur kohë deri në muajin maj për t’i mbyllur përfundimisht aktivitetet e tyre, shkruan Ballkani.info.

Në anën tjetër, ky ligj ka pranuar edhe kritika të shumta të cilat bazoheshin në përfitimet financiare që këto biznese i kanë sjellur buxhetit të Kosovës.

Disa nga pronarët, kishin gjetur edhe rrugë të tjera për të vazhduar aktivitetet e lojrave të fatit, duke i transferuar ato në Maqedoni, ose duke i zhvilluar ilegalisht brenda vendit, gjë për të cilën ishin ndërmarrë disa aksione nga Policia e Kosovës.

Ligji për mbylljen e Lojrave të Fatit kishte pasur reagime të shumta edhe në Shqipëri, ku pas hyrjes në fuqi, pronarët e këtyre bizneseve kishin vazhduar ushtrimin e aktiviteteve ilegale përmes shërbimit ‘online’.

E njëjta gjë në anën tjetër ka ndodhur edhe në Kosovë, ku këto biznese kanë filluar të ushtrojnë veprimtaritë e tyre online.

Njëra nga këto biznese është edhe ‘Lloto-ks’, e cila ka hapur një faqe online lloto-ks.com, ku personat e interesuar mund të regjistrohen dhe të vendosin baste njejtë si në jetën e përditshme.

Ballkani.info ka siguruar disa fotografi se si duket faqja që po vepron online, gjithashtu edhe informacione se kur është hapur kjo faqe.

Faqja rezulton se është hapur më datën 18 Prill të këtij viti dhe vazhdon të jetë funksionale, ndërsa nuk ofrohet asnjë lloj i informacionit për kontakt. /Ballkani.info