Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit të programeve valide me staf akademik, për 75 programe të studimit, prej të cilave 40 programe në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, është përfundimtar dhe nuk do të ndryshohet pavarësisht grevave dhe protestave që janë paralajmëruar nga Rektorët e universiteteve publike.

Akreditimi është hequr edhe për 35 programe të Institucioneve Private të Arsimit të Lartë.

Pas këtij vendimi për heqjen e akreditimeve për këto programe ka bërë që Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike në Kosovë të hyjnë në grevë, duke kërkuar që të akreditohen të gjitha këto programe. Madje, kanë paralajmëruar se nëse nuk akreditohen këto programe do të mbajnë edhe protesta.

Por, të gjitha këto duket se janë të kota, pasi që vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë finale dhe nuk mund të ndryshohen.

Të paktën kështu ka deklaruar Kryetari i Këshillit Shtetëror për Cilësi i Agjencisë Kosovare të Akreditim, Gazmend Luboteni, i cili ka thënë se programeve të cilave u është hequr akreditimi nuk kanë përmbushur kriterin bazë që çdo program duhet të ketë tre doktorë shkence të fushës përkatëse.

Luboteni thotë se nuk ka arsye për greva e protesta, pasi sipas tij, nëse pretendojnë që ka ndonjë gabim është më mirë që të shfrytëzojnë të drejtën për të bërë ankesa.

Këtë të drejtë mund ta shfrytëzojnë 30 ditë prej momentit kur e marrin vendimin nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Konferenca e Rektorëve ka akuzuar këtë Këshill se duke mos akredituar programet në Universitetet Publike po favorizojnë Institucionet private, por këtë e mohon Luboteni, i cili thotë se qëllimi i vetëm i tyre është ngritja e cilësisë në arsimin e lartë.

Luboteni thotë se ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Prandaj, ai bënë thirrje që të ndalen sulmet e tilla dhe të mos bëhet presion mbi ta.

Një kërkesë të tillë që politika të mos ndërhyj në punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë e ka pasur edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë Philip Kosnett, i cili ka thënë se politika nuk ka vend në sektorin e edukimit.

Po ashtu, ai ka thënë se Agjencia e Akreditimit e Kosovës duhet të jetë e pavarur për të siguruar cilësi në edukim.

Edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka pasur të njëjtën kërkesë, që sipas saj asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura.

Konferenca e Rektorëve ditë më parë ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veselin, ku ky i fundit ka bërë thirrje se nuk do të lejojë që të cenohet autonomia dhe vazhdimësia e universiteteve publike.

Por, vet takimi i Konferencës së Rektorëve me kryetarin e Kuvendit po shihet si një ndërhyrje politike në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci, thotë se rektorët akuzojnë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për politizim të procesit, e vet ata kërkojnë mbrojtje nga politika.

Pupovci thotë se në Kosovë duhet të ndalet praktika që pa pasur staf akademik të kualifikuar të akreditohen programet e studimit. Ai thotë se në vend se të mbahen greva e protesta më mirë është që të sigurohet staf nga vendet fqinje dhe të përpiqen që t’i mbajnë programet duke pasur staf të kualifikuar.

Në anën tjetër, Konferenca e Rektorëve ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të shkarkojë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, madje kanë kërkuar edhe shkarkimin e vet ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi.

Por, këshilltari i Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi, thotë se si ministri nuk ndërhyjnë në vendimet e Këshillit, pasi janë një institucion i pavarur.

Gashi thotë se nuk ka arsye që të kërkohet shkarkimi i ministrit të Arsimit, pasi sipas tij, janë duke punuar më mirë se secili ministër i Arsimit që nga pas lufta e këndej. Po ashtu, ai thotë se ministri ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha Universitetet publike.

Gjithashtu, Gashi thotë se Konferenca e Rektorëve ka qenë e përfshirë në përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Shtetërorë, madje edhe në hartimin e udhëzimit për Agjencinë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e mbajtur me 15 dhe 16 janar, ka aprovuar për hyrje në proces të vlerësimit 104 programe të studimit, 53 programe në Institucione Publike dhe 51 programe në Institucione Private të Arsimit të Lartë, për trajtim të mëtutjeshëm. Ndërsa, ka refuzuar aprovimin për 107 programe të studimit, 28 programe studimi në Institucione Publike, dhe 79 programe në Institucione Private të Arsimit të Lartë, të cilat kanë dështuar të përmbushin kriteret e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ.

Programet valide të akredituara janë gjithsej 185 programe, nga të cilat 124 programe studimi në Institucione Publike të Arsimit të Lartë, dhe 61 programe studimi në Institucione Private të Arsimit të Lartë.