Paterica e Vuçiqit sulmon gazetën e pavarur serbe veç pse ia publikoi adresën shefit të saj

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq e ka akuzuar gazetën e pavarur “Danas” në Twitter për shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale për shkak të tekstit se gjyqësori e ka të vështirë të gjejë adresën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ajo që bëri pamfleti i manjatit DANAS me publikimin e të dhënave personale të Presidentit të Republikës është një skandal dhe shkelje brutale e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave, si dhe ligjeve të tjera, sepse është person i mbrojtur. Sundimi i ligjit dhe liria e medias nënkuptojnë gjithashtu përgjegjësi. Institucionet të reagojnë”, ka shkruar Ana Brnabiq.

Ajo ka shpërndarë një postim nga Nebojsa Krstiq, ekspert marketingu dhe aktivist në Twitter.

Nebojsha Krstiq ishte i pari që i kërkoi Rodoljub Shabiqit, ish-komisionerit për informim me rëndësi publike, të përgjigjet në Twitter nëse artikulli në “Danas” për rezidencën e Aleksandar Vuçiq, Presidentit të Serbisë, shkel Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për të cilin Shabiq u përgjigj se ligji nuk është shkelur sepse është një fakt i njohur.

“Zoti Rodoljub Shabiq, më lejoni t’ju pyes! Sot ka publikuar të dhënat personale (adresën) e presidentit. Ju, vë bast, nuk do të dilni të shpjegoni se kjo është shkelje e Ligjit, ndaj do të doja të pyesja nëse është në rregull që dikush të publikojë adresën e redaktorit të Danas? Faleminderit paraprakisht për përgjigjen”, ka shkruar Krstiq në Twitter.

Kjo u pasua nga përgjigja e ish-administratorit të besuar dhe avokatit Rodoljub Shabiq se nuk është shkelur Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

“Komunikimi me z. Krstiq nuk është interesant për mua, dhe dyshoj se ai paguan për bastet që humbet, por ja ku është – unë jam gjithmonë kundër publikimit të adresave personale, por “përpunimit” të disa të dhënave të njohura prej kohësh për publikun e gjerë (qoftë të sakta ose jo) nuk është shkelje e ZZPOL. Le të pyesë edhe Komisioneri i RS-së”.

Prandaj, Shabiq ia referoi Krstiqin Komisionerit aktual për Informim me Rëndësi Publike, pikërisht Milan Marinoviq.

Shkak për shkrimin në “Danas” është bërë njoftimi i mjekut Rade Paniq, po ashtu në Twitter, se ftesa për padi private ndaj Aleksandar Vuçiqit nuk i është dorëzuar, për shkak se adresa ka qenë e pasaktë.

Teksti i “Danas” nuk zbulon adresën e banimit të presidentit të Serbisë, por i referohet informacioneve të njohura më parë se ai ka regjistruar si vendbanim një garsoniere në lagjen Belleville.

“Danas” vazhdimisht është nën sulme te autoriteteve serbe, pasi që ka mbetur ndër të paktat media në Serbi që nuk është kapur nga Vuçiqi dhe klika e tij. Mediat në Serbi janë ndër më të varurat në rajon dhe me gjerë, pasi që shihen si mjet propagandues i pushtetit serb. Liria e shprehjes në Serbi është cenuar dukshëm viteve të fundit dhe këtë e faktojnë organizatat ndërkombëtare që merren me matjen e opinionit publik. /Ballkani.info/