Kampusi

Pastrohet lokacioni afër Kampusit Universitar, gjenden shiringa dhe mbetje shtazore

Mbi 60 thasë me mbeturina janë larguar nga aksioni i sotëm në Prishtinë, të cilit iu bashkuan dhjetëra vullnetarë për pastrimin e brezit të rrugës “Xhorxh Bush” dhe hapësirave afër Radio Kosovës dhe Kampusit Universitar.

Aksioni i sotëm filloi nga ora 09:00 ndërsa u realizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila nga 15 shtatori deri më tani ka rezultuar me pastrimin e mbi 400 deponive ilegale të mbeturinave në tërë Kosovën.

Për ekipin e Let’s Do It shqetësuese ka qenë identifikimi i shiringave dhe mbetjeve shtazore në një hapësirë kaq të frekuentuar të kryeqytetit.

Drejtori Ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj edhe njëherë apeloi te qytetarët që të jenë të kujdesshëm me mjedisin dhe t’u bashkohen aksioneve të pastrimit që po realizohen në kuadër të Fushatës.

“Sot, jemi këtu në mes të qendrës së kryeqytetit, ku po shohim numër të madh të mbeturinave. Është pikërisht vend ku kalojnë numër i madh i qytetarëve. Vet ne, qytetarët dhe institucionet duhet të kemi kujdes me pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambientit sepse nëse nuk kemi atëherë nuk kemi nevojë as ta pastrojmë. Aksioni ta pastrojmë Kosovën po vazhdon deri tash janë heq mbi 400 deponi”.

Ai bëri të ditur se dje ka përfunduar aksioni disaditor në Komunën e Vushtrrisë për pastrimin e deponisë më të madhe të mbeturinave në këtë Komunë, nga ku janë larguar mbi 300 kamionë me mbeturina.

Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila nisi më 15 shtator, do të vazhdojë deri më 15 dhjetor.