Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin me një vit burgim të ish-ministrit serb në Kosovë, Ivan Todosijeviç, i cili Masakrën e Reçakut e kishte quajtur “trillim”, ka reaguar edhe Beogradi zyrtar, raporton gazeta online Reporteri.net.

Kryediplomati serb, Nikolla Selakoviç, Todosijeviçin e quajti “njeri të ndershëm” derisa mohoi Masakrën e Reçakut (ku u masakruan 45 shqiptarë civilë nga forcat serbe) duke e quajtur “mashtrim ordiner” dhe “arsye të fabrikuar” për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, vendimin e Gjykatës së Prishtinës e quajti “të turpshme, dhe të nxitur politikisht dhe etnikisht” si dhe shtoi se “të gjitha postulatet e ligjit dhe drejtësisë për serbët në Kosovë kanë rënë”.

Në mohimin e krimeve të luftës, dhe nga regjimi gjenocidial krerët shtetëror vazhdojnë të mos distancohen, e madje përkundrazi duke i glorifikuar kriminelët e dënuar të luftës, si famëkeqtë Ratko Mlladiç e Radovan Karagjiç, shkruan Reporteri.net.

Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e mohon Masakrën e Reçakut.

Todosijeviç ka mohuar Masakrën e Reçakut duke e quajtur “trillim” në mars të vitit 2019 në njëzet vjetorin e nisjes së fushatës humanitare të NATO-s për të parandaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë.

Masakra e Reçakut

Më 15 janar 1999, në orët e hershme të mëngjesit, fshati Raçak u sulmua nga forcat e RFJ-së [Jugosllavisë] dhe të Serbisë.

Pas granatimeve nga njësitë e UJ-së [Ushtrisë Jugosllave], policia serbe hyri në fshat më vonë në mëngjes dhe filloi të kryente kontrolle shtëpi më shtëpi.

Civilët shqiptarë, të cilët tentuan t’i iknin policisë serbe, u qëlluan në të gjithë fshatin. Një grup prej rreth 25 burrash tentuan të fshiheshin në një ndërtesë, por u zbuluan nga policia serbe.

Ata u rrahën dhe më pas u çuan në një kodër aty pranë, ku policët i qëlluan dhe i vranë.

Në total, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë vranë afërsisht 45 shqiptarë të Kosovës në dhe rreth Raçakut.