Nevzad Lutfiu

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë, Lutfiu paralajmëron protesta

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Serbi, Nevzad Lutfiu, ka thënë se procesi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës po merr “përmasa të frikshme”.

“Procesi i pasivizimit po merr përmasa të frikshme. Përderisa target i pasivizimit kanë qenë shqiptarët e Luginës që jetojnë në Kosovë, së fundmi ka filluar pasivizimi i shqiptarëve të Luginës që jetojnë në diasporë”, ka shkruar ai në Facebook.

Tani sipas Lutfiut, protestat po mbeten rruga e vetme, derisa ka shtuar se rezolutat dhe shumë raporte ndërkombëtare nuk po e ndalojnë Serbinë për ta realizuar spastrimin etnik.

Politika diskriminuese e Serbisë qëndron në faktin se në momentin kur shqiptarëve u pasiviziohet adresa e vendbanimit dhe fshihet nga regjistri civil i shtetit, ai/ajo nuk mund të marrë letërnjoftim të ri ose pasaportë.

E qytetari shqiptar nuk gëzon të drejtën e shërbimeve mjekësore ose asistencës sociale, nuk mund të regjistrojë makinën, nuk mund të blejë apo shesë pronën dhe nuk mund të votojë në zgjedhjet lokale apo qendrore.

Ndryshe, përfaqësuesit e shqiptarëve dhe boshnjakëve në Serbi kanë kërkuar vazhdimisht reciprocitet të të drejtave me serbët që jetojnë në Kosovë, pas pakënaqësive me statusin e tyre në përgjithësi, posaçërisht në Novi Pazar, Tutin e Sjenicë në Sanxhak dhe në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.