Avokati serb

Pasi vizitoi varrezat e Jashrajve, Stojkoviq rikthen kohën kur Thaçi kishte nderuar viktimat serbe

Avokati serb, Cedomir Stojkoviq, dje ka qëndruar për një vizitë në Prekaz, ku edhe ka vendosur lule tek varri i Blerina Jasharit bashkë me një letër me kërkimfalje.

Kjo vizitë në Prekaz e Stojkoviq ka ardhur pasi shteti serb ka arrestuar politikanin opozitar serb, Nikola Sanduloviq, pasi ky i fundit ka ripublikuar një video të vizitës së tij në Prekaz ku ka nderuar anëtarët e vrarë të familjes Jashari.

Stojkoviq dje ka thënë se vizita e tij është në shërbim të pajtimit dhe ka thënë se fakti që Serbia arreston njerëzit që kërkojnë pajtim, tregon se “e keqja po pret kohën e saj për t’u rizgjuar”.

Ndërkohë sot Stojkoviq ka shpërndarë edhe disa fotografi të ish-presidentit Hashim Thaçi i cili shihet teksa nderon memorialët e viktimave të nacionalitet serb.  

“Presidenti i Kosovës 2016 vendos kurorë në varrin e viktimave të kombësisë serbe”, ka shkruar Stojkoviq.

Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 16 dhjetor 2016 kishte nderuar 84 serbë të Kosovës të vrarë ose zhdukur në Hoçë të Madhe të Rahovecit gjatë viteve 1998-2000.

“Sot sapo vumë lule në këtë pllakë përkujtimore për 84 qytetarë serb të  Kosovës,  jemi sot këtu për të kujtuar dhe lutur për viktimat gjatë dhe pas luftës pa dallim nacionaliteti”, kishte shkruar Thaçi atë kohë.