Pasi u plaçkit dhe u dëbua nga serbët në Brezovicë, Federata Skitare e Kosovës rikthehet në zyrat e saj

Federata Skitare e Kosovës është rikthyer në zyrat e saj disa ditë pasi serbët ia plaçkitën zyrën dhe u munduan ta dëbonin atë nga Brezovica.

Në fakt, zyrat e kësaj Federate ishin plaçkitur nga serbët në Brezovicë, të cilët kishin tentuan edhe ta dëbonin këtë Federatë me zyrën e saj nga qendra e skijimit në Kosovë.

Mirëpo, FSK-ja njofton përmes grupit të vetë zyrtar në Facebook se është rikthyer në “folenë” e saj falë intervenimit të organeve të rendit në Republikën e Kosovës.

“Federata Skitare e Kosovës është rikthyer në zyrën e saj në Qendrën e Skijimit në Brezovicë pas intervenimit të saj, Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe organeve të rendit të Republikës së Kosovës”, njofton fillimisht kjo Federatë.

“FSK vazhdon me punën e saj edhe nga kjo zyrë në Brezovicë, ku me datë 2 dhe 3 Mars 2019 planifikohet të organizohet Kampionati i Kosovës në dy disiplina Sllallom dhe Sllallom i Madh për kategoritë e vjetra”, vazhdon njoftimi i skitarëve.