Pasi u kritikua ashpër, Edi Rama fshin postimin për Velipojën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar sot në mëngjes një fotografi të Velipojës me mbishkrimin ” Mirmëngjes nga Velipoja e dashur”.

Por, nuk ka shkuar shumë, ai e ka fshirë këtë postim nga “Facebook”.

Sigurisht që kjo ndërlidhet me rastin tragjik ndodhur një natë më parë në Velipojë ku mbetën të vrarë katër persona dhe disa u plagosën.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë shqiptare, në këtë konflikt kanë vdekur katër persona teksa janë plagosur edhe katër të tjetër.

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se rasti ka ndodhur mbrëmë në Pulaj Plazh, teksa në mesin e të vrarëve është edhe një 20-vjeçar.

Gazetari i ABC, Simon Shkreli sjell kronologjinë dhe detajet nga masakra në veri, që tronditi përpos vendasit edhe turistët duke ndikuar në imazhin e Shqipërisë.

Menjëherë pasi kanë mësuar lajmin të parët që kanë shkuar në vendin e ngjarjes në një rrugicë mes dy bizneseve të palëve të përfshira ishin familjarët në britma dhe lot.

Komunikata e Policisë:

Velipojë/Shkodër

Informacion paraprak

Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.

Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur.

Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.