Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, vazhdon të arsyetohet me postime në Facebook pas çdo kritike apo interviste.

Sapo reagoi për intervistën në RTK ku u përballë me pyetje legjitime nga gazetarja për paratë që familjarët e saj kanë marrë nga shteti i Kosovës.

Mirëpo, ajo në atë intervistë nuk ishte në gjendje të jepte sqarime dhe kaloi në sulme ndaj gazetares Blerta Foniqi.

Edhe në postimin e saj në Facebook ajo sulmon sërish gazetaren.

Postimi i plotë:

A ka ndonjë gazetar profesional e të pavarur që ka marrë lavdërime nga Lirim Mehmetaj? Vështirë.

Sepse kur gazetaria bëhet zgjatim i interesave të mercenarëve, pavarësia është fjala e parë që sakrifikohet.

Paskan thënë se kinse kam kaluar keq në intervistë dhe se paska qenë e sikletshme. Aspak. Por, thjeshtë nuk ia dhashë atë kënaqësi gazetares që e kishte misionin e porositur nga jashtë.

Pyetjet e saj ishin të dirigjuara, dhe kur e sfidova, tha: “Nuk jam gazetare e nënshtruar.” Jo se kishte parim, por sepse priste duartrokitje nga “kolegë” të saj mercenar. Për të sot nuk kishte rëndësi përgjegjësia që ka ndaj publikut por si do të vlerësohej ajo nga ata që e udhëzonin nga prapaskena.

Kjo është po e njëjta gazetare që heshti kur më sulmuan publikisht muaj më parë. Asokohe nuk kishte interes për të dëgjuar versionin tim. Nuk më ofroi hapësirën në emision. Sot, papritur, i nevojiteshin përgjigjet sepse kështu e urdhëruan.

Gazetaria me porosi funksionon kështu.

Madje më tha: “Nuk je sulmuar se je grua.” E pyeta: “Po për çfarë atëherë?” Nuk kishte përgjigje. Por sërish vazhdoi. Sepse kur nuk ka fakte, mjaftojnë sulmet e pakoordinuara për të kënaqur agjendat.

Dhe për ata që ende nuk e dinë se për kë po flas le t’i qelim letrat hapur.

Kujt i nënshtrohet kjo gazetare?

Dikur, një telefonatë nga Ramush Haradinaj mjaftonte për ti ngritur në detyra atë dhe familjen e saj në RTK. Aftësia apo profesionalizmi nuk ishin kriter. Mjaftonte të ishte gruaja e një familjareje të gruas së Ramushit. Kaq. Dhe bëhej moderatore, drejtuese, gjithçka. Pa konkurrencë, pa meritë.

Përfitimet nuk përfunduan aty. Shuma të konsiderueshme kanë marrë edhe nga komuna të drejtuara nga AAK.

Sa interesant kjo gazetare e guximshme për çudi, nuk ka asnjë intervistë ku kjo t’i ketë vënë përballë burrat e AAK-së. Pse? Ndoshta sepse “s’ka pasur arsye” sepse ishin “burra të mirë”.