Pas konfirmimit të 241 rasteve të reja me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë një apel për qytetarët, bizneset dhe gastronomët.
IKSHPK ka kërkuar që në mënyrë strikte të vazhdohet respektimi i rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të pranohet një normalitet i ri.
“Ju lutemi që të pranoni një normalitet të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.
Tutje thuhet se “çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve”.







