Pasi nuk u arrit marrëveshje për targat, Latifi: S’duhet të befasohemi nëse nisin incidentet e armatosura në veri

Në Bruksel nuk është arritur marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë për targat, derisa më 21 prill skadon afati për të arritur dakordimin lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

Lidhur me këtë ka reaguar, Blerim Latifi, profesor i Filozofisë Politike.

Ai thotë se qysh nga nesër mund të ketë incidente të armatosura në veri.

“Nuk duhet të befasohemi nëse qysh nga nesër fillojnë incidentet e armatosura në veri. Bandat paramilitare të Vuçiqit e Putinit nuk do ta lënë pa e shfrytëzuar vakumin e krijuar nga mungesa e marrëveshjes”, shkruan Latifi në llogarinë e tij në Facebook.

“Sulmet e para disa ditëve mbi policinë e Kosovës ishin vetëm një provë testuese e operativitetit të këtyre bandave”, shtoi ai.

Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Postimi i plotë i Latifit:

Në Bruksel s’qenka arritur marrëveshja për targat. Nuk duhet të befasohemi nëse qysh nga nesër fillojnë incidentet e armatosura në veri. Bandat paramilitare të Vuçiqit e Putinit nuk do ta lënë pa e shfrytëzuar vakumin e krijuar nga mungesa e marrëveshjes. Sulmet e para disa ditëve mbi policinë e Kosovës ishin vetëm një provë testuese e operativitetit të këtyre bandave.

Rroftë shteti i Kosovës!

Rrofshin djemtë trima të Policisë së Kosovës!