Pasi MCC zhbllokoi ndihmën amerikane për Kosovën, Veliu poston foto me Grenellin

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka publikuar një fotografi me të Dërguarin e Posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Me këtë veprim si duket Veliu ka shprehur falënderimin e tij, pasi dje MCC ka njoftuar se do ta zhbllokojë ndihmën amerikane për Kosovën menjëherë pasi Qeveria e re e Kosovës ka larguar reciprocitetin ndaj Serbisë.

Këtë fotografi Veliu e publikoi në Facebook, ku tutje ka shkruar se miqësia, besnikëria dhe bashkëveprimi i ndërsjellë mes SHBA’ve dhe Kosovës, fryt i vizionit perëndimor euroatlantik, rezulton në veprime dhe projekte konkrete.

“Miqësia, besnikëria dhe bashkëveprimi i ndërsjellë mes ShBA’ve dhe Kosovës, fryt i vizionit perëndimor euroatlantik, rezulton në veprime dhe projekte konkrete.
Dje MCC ka zhbllokuar fondin prej mbi 200 milionë dollarësh menjëherë pasi që Qeveria e Kosovës largoi pengesat për vazhdimin e dialogut”, ka shkruar Veliu.