Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kërkoi nga autoritetet serbe që de facto ta njohin Kosovën dhe në Beograd zbuloi se në fakt bëhej fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kjo është hera e parë që zyrtarët më të lartë evropianë e theksojnë kaq qartazi marrëveshjen që u pranua verbalisht nga Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurti në mars.

Bashkëbiseduesit e “Nova”-s besojnë se për shkak të konfliktit të armatosur në Banjskë, Perëndimi ka humbur durimin dhe po i bën presion të ri Beogradit me retorikë më të ashpër, transmeton Ballkani.info.

Pas raundit të fundit të dialogut në Bruksel, i cili përfundoi pa sukses, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Gerogia Meloni kërkuan zyrtarisht për herë të parë nga Beogradi njohjen de facto të Kosovës. Nëse kjo nuk do të ishte e pazakontë, pasi bëhet fjalë për vendet që e njohën pavarësinë e Kosovës, ishte befasuese deklarata e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha të njëjtën gjë në Prishtinë.

E pas Prishtinës, ajo ka udhëtuar për në Beograd dhe pasi ka biseduar me Aleksandër Vuçiqin, ka zbuluar se çfarë nënkupton njohja “de fakto”.

“Çfarë është? Bëhet fjalë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. Ajo parasheh disa hapa, si njohja e dokumenteve, institucioneve, dhe nga ana tjetër, shkon me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin Kosova duhet ta zbatojë. Kjo do të hapë rrugën për normalizimin e marrëdhënieve”, tha von der Leyen.

Marrëveshja e Ohrit u pranua verbalisht nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti më 19 mars të këtij viti. Në fakt bëhet fjalë për aneksin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit pak më herët në Bruksel.

Këto dokumente përfshijnë njohjen e dokumenteve, simboleve kombëtare, pasaportave, diplomave, targave… Përmendet edhe Karta e OKB-së, veçanërisht pjesa për barazinë sovrane të të gjitha shteteve, respektimin e pavarësisë, integritetin territorial, të drejtën për vetëvendosje… Ndoshta pika më e diskutueshme ishte ajo në të cilën thuhet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ku përfshihet edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Aleksandar Vuçiq më vonë disa herë tha se nuk do ta pranonte anëtarësimin e Kosovës në atë organizatë, ndërsa dje deklaroi se Serbia nuk mund të bëjë atë që është kundër Kushtetutës.

“Ne e dimë se çfarë ka pranuar Serbia, ne do të sillemi me përgjegjësi në përmbushjen e obligimeve tona dhe presim që disa të tjerë t’i përmbushin obligimet e tyre që është dashur t’i përmbushin 11 vjet më parë”, tha Vuçiq.

Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga pranimi i marrëveshjes, fillimisht në Bruksel dhe më pas në Ohër dhe pak është zbatuar. Deri më tani, zyrtarët evropianë nga të dyja palët kanë kërkuar zbatimin e tyre, dhe tani Beogradi po e përkthen publikisht atë kërkesë në njohjen “de facto” të Kosovës.

Nga erdhi ajo retorikë?

Sreçko Gjukiq, diplomat dhe ish-ambasador i Serbisë në Bjellorusi, thotë se kjo terminologji nuk është përdorur kur janë lidhur marrëveshjet më 27 shkurt dhe 14 mars në Bruksel dhe Ohër, e as deri në takimin e fundit në Bruksel. Ai thotë për “Nova” se ky është një tjetër presion ndaj Beogradit, ndoshta vendimtar, si rezultat i përpjekjes për të shmangur marrëveshjet që tashmë janë bërë.

“Përkatësisht, në Perëndim u krijua përshtypja se Beogradi po punon për derogimin e të gjitha marrëveshjeve me Prishtinën, veçanërisht këto të dyja në vitin 2023. Mendoj se Perëndimi e ka përmbledhur qëndrimin e tij ndaj Beogradit. Deri më tani nuk është kërkuar njohja e Kosovës. Tani është shfaqur një rrëfim i njohjes de facto. Jemi një milimetër larg maksimumit (njohja de jure)”, beson Gjukiq.

Çfarë do të humbiste Serbia nëse nuk e njeh de facto Kosovën?

Jelica Miniq, kryetare e Lëvizjes Evropiane në Serbi, thotë se BE-ja po e humb durimin me Beogradin dhe Prishtinën dhe se në të dyja adresat janë dërguar formulime shumë të ashpra.

“Me faktin se kjo përballje me Serbinë fillon me një aventurë të rrezikshme të armatosur në Banjskë. Mund të vihet një lidhje e drejtpërdrejtë mes asaj që ndodhi në Banjskë dhe komunikimit. Ai komunikim verbal merr një karakter përfundimtar dhe besoj se vizita e von der Leyen jep vetëm forcë shtesë pas takimeve të fundit në Bruksel, të cilët komentuan në mënyrë shumë eksplicite bisedimet që u zhvilluan atje”, thotë Miniq.

Ajo shton se ajo që e bën presion shtesë vizitën e zonjës von der Leyen ndaj negociatorëve nga Beogradi dhe Prishtina është vënia në dukje e drejtpërdrejtë e humbjeve që u përmendën vetëm në takimet në Bruksel.

“Dhe këto janë fondet e BE-së, dhe përveç planit ekonomik dhe investues për Ballkanin Perëndimor, tani është lansuar një plan i ri i rritjes për Ballkanin Perëndimor, për të cilin janë paralajmëruar gjashtë miliardë fonde evropiane, të cilat Serbia dhe Kosova mund të të privohen në krizën e ardhshme”, beson Miniq. /Ballkani.info/