Pas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit në Hagë, OVL-UÇK ka një kërkesë për institucionet e Kosovës

Paneli i Gjykatës së Apelit dy ditë më parë ka vendosur lidhur me apelet e mbrojtjes së Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kundër vendimeve të gjykatësit të procedurës paraprake për rishikimin e mbajtjes së tyre në paraburgim.

Këtë vendim, njohësit e çështjeve juridike po e vlerësojnë si mundësi e re që shteti i Kosovës të ofroj garancionet e nevojshme për mbrojtjen në liri të ish krerëve të UÇK-së.

Në anën tjetër, Faton Klinaku ushtrues detyre i kryetarit të OVL-UÇK-së, ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara parasheh që në radhë të parë të akuzuarit që gjenden në Hagë, mund të mbrohen në liri në Kosovë, përveç nëse i akuzuari vet kërkon një vend të tretë.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës është dashur të merren më seriozisht më këtë punë dhe të japin garancet e nevojshme për mbrojtjen e tyre në liri.

“Ne vazhdimisht kemi kërkuar, por garancat nuk i ka dhënë shteti siç duhet, me qenë në rregull është dashur qysh moti t’i bëjnë këto gjera. Unë bëj thirrje dhe vazhdimisht kemi kërkuar të jenë më serioz në këtë drejtim, sepse njerëzit mbahen në burg që një vit dhe nuk mund të mbrohen në liri dhe mbesin pengje për shkak të procedurave të kësaj gjykate”, ka thënë Klinaku për “Indeksonline”.

Më tutje, ai ka thënë se më këtë veprim, atyre po iu shkelen edhe të drejtat e njeriut.

Po bëhen një vit që prej ish krerët e lartë të UCK-së ndodhen në paraburgim në Hagë.

Muajve të fundit, Gjykata Speciale iu ka dhënë mundësi familjarëve të tyre që t’i vizitojnë ata Hagë.