Pas statusit skandaloz, Xhevdet Pozhari akuzon “qikat” se nuk ditën ta lexojnë

Analisti Xhevdet Pozhari i ka reaguar organizatës QIKA, e cila u kërkoi mediave që të mos e ftojnë atë në debate televizive, pas një deklarate ku pati një kritikë për vajzat, me rastin e vrasjes makabre të 18-vjeçares në Ferizaj.

Kundër deklaratës së Pozharit dolën shumë komentues në rrjetet sociale. Pozhari i kërkon organizatës QIKA dhe të gjithë të tjerëve që të mësohen ta lexojnë atë që ai shkroi në Facebook.

“”Qikave” që nuk dinë të lexojnë! Ka kohë që për cilindo qëllim deklarimet e mia mundohen t’i devijojnë. Në mungesë të kundëragrumenteve përpiqen të më bëjnë shënjestër. Më duhet ta potencoj: Unë kam thënë atë që kam shkruajtur, e jo atë që doni ta lexoni ju!
Fillimisht, mësohuni ta lexoni atë që është shkruajtur, e jo atë që ju mendoni se është thënë!”, ka shkruar Pozhari.

Organizata QIKA u bëri tha se gjuha e Pozharit normalizon dhunën dhe e arsyeton vrasjen e grave.

Në një shkrim në profilin e tij në Facebook, Pozhari ndër tjerash shkroi se “vajzave duhet rikujtuar sa më shpesh se nuk është me rëndësi vetura Audi A8, por gomari që e nget atë”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar organizata QIKA, duke kërkuar nga mediat që mos të ofrojnë hapësirë për individë me qëndrime të tilla mizogjene.

“Gjuha e përdorur nga analisti Xhevdet Pozhari normalizon dhunën dhe arsyeton vrasjen e grave. Dënojmë ashpër këtë gjuhë dhe kërkojmë nga mediat që të mos të ofrojnë hapësirë për individë me qëndrime të tilla mizogjene”, thuhet në reagimin e tyre.