Pas shkarkimit Lopetegui falenderon Real Madridin

Pas komunikatës kritikuese të Real Madridit në drejtim të Julen Lopeteguit në të cilën njoftohej shkarkimi i tij, ish përzgjedhësi i Spanjës është përgjigjur me një falenderim.

Real Madridi përmes komunikatës për shtyp fajësojë Lopeteguin për mos arritje të shfaqjes së potencialit të futbollistëve që i kishte në dispozicion duke thënë se ka disproporcion në mes të kualitetit të skuadrës e cila ka 8 lojtarë të nominuar për Topin e Artë dhe rezultateve të grumbulluara.

Sidoqoftë Lopetegui ka refuzuar të kundërpërgjigjet, teksa e ka falenderuar klubin e Real Madridit për dhënien e mundësisë për të drejtuar 13 herë kampionët e Europës.

“Pas vendimi të bordit drejtues të Real Madridit, dua të falenderoj klubin për mundësinë e ofruar. Falenderoj lojtarët për mundin dhe punën e tyre, gjithashtu për secilin pjesëtarë të klubit për trajtimin e mirë që më kanë bërë. Dhe sigurisht falenderimi im shkon edhe për tifozët për mbështetjen e tyre, iu dëshiroj më të mirën për pjesën e mbetur të sezonit”, mbyllet shkrimi i Lopeteguit.

Trajneri i Real Madrid Castilla, Santiago Solari është emëruar trajner i përkohëshëm te “Los Blancos”, kurse Antonio Conte cilësohet si kandidat kryesor për të pasuar Lopeteguin në stolin e mbretërve pavarësisht se së fundmi kanë qarkulluar spekulime se ka mosmarrëveshje lidhur me pagën.