Ngadhnjim Kastrati

Pas raportimit të Ballkani.info për gjuhën skandaloze të gazetares serbe, reagon drejtori i RTK-së

Drejtori i Transmetuesit Publik, Ngadhnjim Kastrati, ka paralajmëruar sanksione ndaj gazetares së RTK 2, Aleksandra Dogangjiq, e cila ka përdorur termin anti-kushtetues “Kosovë dhe Metohi” në raport me Republikën e Kosovës.

Ballkani.info raportoi sot gjatë ditës se gazetarja nga komuniteti serb i Transmetuesit Publik, i është referuar Republikës së Kosovës si “Kosovë dhe Metohi” në një edicion të lajmeve të RTK-së në gjuhën serbe më 3 maj. Dhe jo vetëm me 3 maj, po ajo të njëjtën e kishte përseritur edhe në dhjetor të vitit 2018.

Por, kjo gjuhë “nuk është absolutisht e lejueshme”, ka thënë drejtori i RTK-së. Në një prononcim për Insajderin të hënën, Ngadhnjim Kastrati ka deklaruar se një gjuhë e tillë nuk është e lejuar të përdoret në RTK.

“Nuk e kam parë ende rastin, por absolutisht nuk është e lejuar kjo gjuhë. Nuk ka ‘Kosovë dhe Metohi’ dhe në institucionet tona nuk është e lejuar kjo gjuhë. Gazetarja nuk guxon ta përdor këtë term, sepse sanksionohet me rregullore”, ka thënë Kastrati.

Gazetarja Aleksandra Dogangjiq, për herë të parë në një transmetim të lajmeve në RTK2, i ishte referuar Republikës së Kosovës si “Kosovë dhe Metohi” në dhjetor të vitit 2018.

Aso kohë, Dogangjiq ishte suspenduar nga puna për një muaj. /Ballkani.info/