Lulzim Hetemi

Pas Mitrovicës së Veriut, edhe në Leposaviq mblidhen nënshkrimet e nevojshme për rrëzimin e kryetarit shqiptar

Pas arritjes së nënshkrimeve të nevojshme për peticionin e shkarkimit të kryetarit shqiptar në Mitrovicë të Veriut, nënshkrimet janë mbledhur edhe në Leposaviq.

Gjithçka përfundoi në orën 13:00, pasi u arrit numri i nevojshëm i nënshkrimeve.

Madje, Veselin Radoviq, avokat që u mor me organizimin e peticionit, tha se nënshkrimet e tejkalojnë 20 përqindëshin e nevojshme të votuesve të regjistruar në atë komunë.

“Sapo po e përfundojmë nënshkrimin e peticionit, kemi një numër të mjaftueshëm, prandaj shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj qytetarët e Leposaviqit për përgjigjen e tyre”, tha Radoviç.

Ai ka theksuar se numri i saktë i nënshkrimeve do të dihet të hënën dhe gjithçka tjetër rreth procedurave vijuese.

“Deri të hënën do të kemi të gjitha rezultatet e sakta dhe do të përfundojmë peticionin. Nuk ka pasur asnjë teprim apo parregullsi, kështu që gjithçka ka shkuar mirë”, tha Radoviq.

Kryetari aktual i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, do të vazhdojnë të jenë kryetarë komunash, derisa të përfundojë e gjithë procedura e largimit të tyre përmes peticionit, detajuar sipas Udhëzimit Administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës.

Pas këtij peticioni që kërkon në total nënshkrime prej 20 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, më pas vazhdojnë procedurat dhe dërgohen për t’u verifikuar në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Nëse gjithçka është në rregull, caktohet datë e zgjedhjeve nga KQZ dhe banorët e këtyre komunave duhet të dalin të votojnë për largimin e kryetarit aktual.

Nëse votojnë mbi 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve, atëherë procesi është i legjitimuar dhe kryetarët duhet të largohen nga pozitat e tyre, për t’i hapë udhë një tjetër procesi zgjedhor – atë të zgjedhjes së kryetarit të ri.

VIDEO BONUS: Haliti s’i përjashton koalicionet: Do punojmë për të dalë partia e parë