Roma raportohet se ka shprehur interesim për ta transferuar qendërmbrojtësin kroat të Liverpoolit, Dejan Lovren, gjatë këtij afati kalimtar, pasi që klubi s’mundi ta përballojë financiarisht transferimin e Toby Alderweireld nga Tottenhami.
Toby Alderweireld kishte qenë lojtari i preferuar i Romës për ta përforcuar repartin e mbrojtjes për sezonin e ardhshëm, por 40 milionë eurot e kërkuara nga Tottenhami e pamundësuan këtë marrëveshje.
Për shkak të këtyre negociatave të dështuara, Sportitalia raporton se tani Roma e ka kthyer vëmendjen te kroati i Liverpoolit, Dejan Lovren, i cili ishte kërkuar gjatë kësaj vere edhe nga Milani dhe kushton 20 milionë euro.
Për më tepër, menaxheri i Lovren, Bjorn Beemer, pritet të arrijë në Itali së shpejti, ku ai do të negociojë për të ardhmen e klientit të tij.
Ndërkohë, Milani që nga atëherë ka arritur marrëveshje për ta transferuar Leo Duarten nga Flamengo, duke i heshtur kështu spekulimet se do të tentojnë ta transferojnë edhe Lovrenin këtë verë.
Lovren nuk ka vend në formacionin e parë të Liverpoolit, megjithatë për të do të jetë vështirë ta zë një vend edhe në bankën rezervë të Jurgen Kloppit, i cili së fundi e transferoi qendërmbrojtësin e ri, Sepp van den Berg.
Përderisa te Liverpooli, Lovren i fiton pesë milionë euro në vit, Milani raportohej se do t’ia ofronte vetëm katër milionë euro në vit në një kontratë pesëvjeçare. Ofertë të njëjtë besohet se do të bëjë edhe Roma.







