Pas marrjes së detyrës, Fadil Nura e Sami Lushtaku vizitën e parë e bëjnë tek varrezat e Jasharajve

Që nga dje, detyrën e të parit të Skënderajt e ka marrë Fadil Nura, i cili ka emëruar menjëherë si nënkryetar Sami Lushtakun.

Që të dy, mëngjesin e sotëm e kanë nisur me vizitë tek varrezat e Jasharajve.

Ata kanë thënë se lavdia u takon kësaj familjeje, e cila bëri sakrificë sublime për atdhe.

Kujtojmë se Nura e Lushtaku garuan përballë Bekim Jasharit, që vije pikërisht nga familja Jashari.

Postimi i plotë i kryetarit të Skënderajt, Fadil Nura:

Vizita e parë pas marrjes së përgjegjësive të reja, detyrueshëm bëhet aty ku nisi gjithçka, në Kompleksin e sotëm Përkujtimor “Adem Jashari”, ku me përulje shprehim respektin e thellë para varreve të Jasharëve, në krye me Bacën Shaban, Hamzën, Ademin – si kryekomandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të gjithë të rënëve tjerë dëshmorë, që sakrifica e tyre sublime për atdhe, na obligon të gjithë pa përjashtim, të punojmë me angazhim të lartë, për të jetësuar amanetin e dëshmorëve të kombit!

Nderime të larta institucionale bëmë sot së bashku me nënkryetarin z.Lushtaku, kryesuesen e Kuvendit, znj.Spahiu, deputeten e Parlamentit të Kosovës, znj.Ariana Shoshi-Musliu, drejtorët komunalë, anëtarët e Kuvendit dhe qytetarë të tjerë.

Lavdia u takon Jasharëve!.