Shtëpia e Bardhë anuloi një takim strategjik kyç me Izraelin pas një video të publikuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu të martën, në të cilën ai kritikoi publikisht administratën amerikane dhe akuzoi SHBA-të për vonimin e dërgesave të armëve në Izrael.
Takimi ishte caktuar të mbahej në Washington të enjten dhe pritej të fokusohej kryesisht në përparimin e programit bërthamor të Iranit.
Një zyrtar i lartë izraelit tha për “Haaretz” se në vend të delegacionit që duhej të udhëtonte në Washington, i udhëhequr nga ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer, do të ketë vetëm një takim midis kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare Tzachi Hanegbi dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.
Faqja e internetit Walla raportoi se i dërguari i posaçëm i Presidentit Joe Biden, Amos Hochstein, i cili mbërriti në Izrael të martën si pjesë e përpjekjeve për të parandaluar një luftë në shkallë të gjerë midis Izraelit dhe Libanit, i tha Netanyahut se ai “e ekzagjeroi” dhe shkaktoi zemërim në nivelet e larta të administrata.






