Pas kërkesës zyrtare, “Apple” fshin aplikacionin e Kuranit në Kinë

Kompania e njohur amerikane e teknologjisë, “Apple”, ka fshirë njërin ndër aplikacionet më të popullarizuara të Kuranit në Kinë, pas një kërkese nga zyrtarët e këtij shteti.

Aplikacioni i quajtur “Quran Majeed” është i qasshëm në mbarë botën në “App Store” dhe ka gati 150.000 vlerësime. Ai përdoret nga miliona myslimanë, shkruan BBC

Qeveria kineze nuk i është përgjigjur kërkesës së televizionit britanik për të dhënë një koment. Fshirja e këtij aplikacioni së pari u vërejt nga uebfaqja “Apple Censorship”, e cila i vëzhgon aplikacionet në “App Store” në nivel global.

Përmes një deklarate, zhvilluesi i këtij aplikacioni, PDMS, tha: “Sipas kompanisë Apple, aplikacioni ynë, “Quran Majeed”, është hequr nga App Store në Kinë sepse përfshin përmbajtje që kërkon dokumentim shtesë nga autoritetet kineze.

“Jemi duke bërë përpjekje për të vendosur kontakte me Administratën e Kibernetikës së Kinës dhe me autoritete përkatëse kineze për ta zgjidhur këtë çështje”, thuhet më tej në deklaratë. Kompania tha se këtë aplikacion në Kinë e përdornin rreth një milion njerëz.

Ndryshe, Partia Komuniste Kineze e njeh zyrtarisht Islamin si fe, por Kina është akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, madje edhe për gjenocid, kundër ujgurëve kryesisht myslimanë në rajonin Xinjiang.