Pas kërcënimit të SHBA-së, Kurti po e përgatit lëndën e letërkëmbimit të Thaçit me NATO-n për Gjykatën Kushtetuese

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti do ta dërgojë letërkëmbimin e ish-kryeministrit Thaçi në vitin 2013-të me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, i cili ishte shprehje e vullnetit politik për të dërguar FSK-në në veriun e Kosovës vetëm në koordinim me NATO-n dhe KFOR-in.

Nga burime brenda Qeverisë mësohet se kryeministri Albin Kurti ka vendosur që këtë çështje ta adresojë këto ditë në Gjykatën Kushtetuese. Si duket kryeministri Kurti është në kërkim permanent të hapjes së temave politike të brendshme për t’iu shmangur debatit rreth konfrontimit me SHBA-në për tarifën. Këtë letërkëmbim të ish-kryeministrit Hashim Thaçi me ish-komandantin e KFOR-it në Kosovë dhe ish-Sekretarin e Përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen, Kurti e kishte interpretuar si “marrëveshje sekrete” në dëm të Kosovës.

Në vitin 2013-të, institucionet e Kosovës të udhëhequra nga Qeveria Thaçi ishin duke bërë rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë, ku ndër pikat më kryesore të këtij rishikimi ishte transformimi 10 vjeçar i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese. Në atë kohë, NATO pajtohej me këtë ndryshim kushtetues, por kërkonte garanca nga institucionet e Kosovës se nuk do të bëjnë zbarkimin e ushtrisë së Kosovës në veri të vendit, pa një marrëveshje me NATO-n përgjatë kësaj periudhe të tranzicionit.

Po ashtu, edhe Kushtetuta e Kosovës në nenin 153 [Prania Ndërkombëtare Ushtarake], Kryesuesit të Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake, përkatësisht Komandantit të KFOR-it, i cili i përgjigjet direkt Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ia njeh autoritetin final në zonën operative për sa i përket interpretimit të detyrave të NATO-s, sipas pakos së Ahtisaarit. “Pavarësisht dispozitave tjera të kësaj Kushtetute, Prania Ndërkombëtare Ushtarake ka mandatin dhe kompetencat e përcaktuara nga instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007.

Kryesuesi i Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake, në pajtim me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, datë 26 mars 2007, është autoriteti final në zonën operative për sa i përket interpretimit të atyre aspekteve të marrëveshjes së përmendur që i referohen Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake. Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka jurisdikcion të rishikojë, të pakësoj ose përndryshe të kufizoj mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen”, thuhet në këtë nen të Kushtetutës së Kosovës.

Edhe në vetë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës thuhet qartë në pikën 5 se ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë”, thuhet në Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Për më tepër, dokumenti mbi të cilin u shpall edhe vetë Pavarësia e Kosovës e përcakton shumë qartë rolin e pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. Në artikullin 13 të Planit të Ahtisaarit parashihet roli dhe mandati i NATO-s në Kosovë dhe superioriteti që kjo forcë ndërkombëtare ka në raport me institucionet vendore të sigurisë, ku nuk përjashtohet as ndërhyrja ushtarake e KFOR-it për të eliminuar çfarëdo pengese që ata mund të hasin gjatë realizimit të mandatit të saj në Kosovë. Ndërsa, në aneksin XI të po këtij plani janë të përshkruara në detaje edhe detyrat dhe përgjegjësisë që KFOR-i ka në Kosovë.

Në po të njëjtën ditë që Kurti e kishte ngritur këtë çështje në publik, duke pretenduar se Thaçi ka bërë shkelje kushtetuese, ai kishte tërhequr vëmendjen edhe tek nevoja institucionale për t’u koordinuar me Thaçin për politikën e jashtme.

Edhe këto ditë kur Kurti po i dërgon Thaçit ftesa për takime, në njërën anë po shfaqet i interesuar për të bashkëpunuar me të, kurse në anën tjetër po e lufton politikisht edhe me dërgim të zotimeve të tij politike, pa kurrfarë peshe juridike, në Gjykatën Kushtetuese.