Pas heqjes së titullit “Nderi i Qarkut Kukës” për Surroin, kryebashkiaku kërkon falje

Publicistit Veton Surroi i është hequr titulli “ Nderi i Qarkut Kukës” i dhënë nga Këshilli i Qarkut në Kukës në vitin 2015.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Qarkut Kukës, në mbledhjen e mbajtur të premten.

Vendimi është marrë pak ditë pas intervistës që Surroi dha në ‘Çim Peka LIVE’, ku mbrojti kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Sipas kryetarit të Këshillit, Abdulla Domi, vendimi është marrë si rrjedhojë e kërkesës drejtuar Këshillit të Qarkut nga dy intelektualë të Kukësit.

Për këtë reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Vendimi i Këshillit të Qarkut të Kukësit për heqjen e titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit është një lajthitje kolektive që uroj Prefekti do ta refuzojë! Ndërkohë parlamenti duhet të ndërhyjë për ta normuar njëherë e mirë çështjen e titujve e të medaljeve”, shkroi Rama.

Ndërsa, kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjicin, pas këtij vendimi, ka kërkuar falje punlike.

“Në emër të Bashkisë Kukës kërkoj ndjesë për veprimin e nxituar sot në Këshillin e Qarkut , lidhur me vendimmarrjen për heqjen e Titullit “Qytetar Nderi” Veton Surroit, pas kërkesës së 57 familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së! Duke u ndjerë shumë pranë atyre familjeve dhe dhimbjes së tyre në raport me këtë kohë lëndimesh për UÇK nuk e menduam më gjatë kërkesën e tyre emocionale”, shkroi Safet Gjici, kryetar i Bashkisë Kukës.

Këshilli i Qarkut Kukës, në vitin 2015 me propozim te Klubit letrar “Anton Pashku”, Kukës, vlerësoi personalitetin e njohur, Veton Surroi, me titullin e lartë “Nderi i Qarkut Kukës” me motivin “Për kontribut të veçantë në fushën mediale dhe politike gjatë krizës së vitit 1999 dhe shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”.