Mbi 500 mijë doza të vaksinës Pfizzer pritet të arrijnë ditën e nesërme në vendin tonë, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) përmes programit COVAX.

Lajmin e kishte konfirmuar për mediat edhe Drin Podrimqaku, këshilltar i ministrit Rifat Latifi.

Ndonëse janë bërë dy vjet pandemi, Demokracia.com ka mësuar se për t’i pritur këto doza të vaksinës në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, pritet të dalin krerët e institucioneve më të larta të shtetit.

Që nga marrja e pushteti, duke mos pasur aktivitete të rëndësishme, krerët e institucioneve nuk i kanë humbur rastet që të dalin vazhdimisht në pritje të vaksinave në aeroportin e Prishtinës.

Edhe në kontingjentin e parë, Osmani e Kurti kishin dalë në aeroportin e Prishtinës për t’i pritur ato.

Autoritetet shëndetësore në Kosovë, në gusht të vitit 2021 kishin pranuar 35 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19, pjesë e donacionit të SHBA-së për Kosovën.

Këto kontingjente janë pjesë e përkushtimit të Presidentit Biden për të ndarë dozat e vaksinës COVID-19 nga furnizimet vendore amerikane për të mbështetur nevojat globale. Pasi që asnjë vend nuk mund ta mposhtë COVID-19 vetëm, në qershor, Shtetet e Bashkuara fillimisht u përkushtuan për të ndarë 80 milionë doza vaksine me botën.

Më shumë se 1.7 milion doza të vaksinës kundër COVID-19 janë dhënë që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.