Pas Agim Veliut edhe Isa Mustafa i reagon Vjosa Osmanit: Këto veprime duhet të marrin fund

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nëpërmjet një shkrese iu është drejtuar strukturave të LDK-së, por gjithashtu edhe një mesazh drejtuar Vetëvendosjes.

Mustafa thotë se LDK nuk e ka zgjedhur hapjen e procesit të rrëzimit të qeverisë, por kjo ka ndodhur nga kryeministri Kurti.

“LDK nuk ka dy zgjidhje, Thaçin apo Kurtin, siç po shprehen disa. Por kanë një zgjidhje. E kanë vetëm LDK-në dhe Kosovën”, ka shkruar Mustafa si përgjigje ndaj akuzave të Vetëvendosjes se ky i fundit po bashkëpunon me Thaçin.

Mustafa i ka dërguar mesazhe edhe nënkryetares së partisë dhe kryeparlamentares Vjosa Osmani duke thënë se nuk është e natyrshme që dikush që është pjesë e LDK-së të jetë kundër vendimeve të LDK-së.

Kjo është shkresa e tij:

Të nderuar anëtarë të Kryesisë, deputetë dhe kryetarë të degëve,

LDK ka proceduar me mocion votëbesimi ndaj Qeverisë Kurti.

LDK dhe Kryesia e saj nuk e ka zgjedhur kohën e Coronavirusit për të hapur këtë proces, por e zgjodhi Kryeministri Kurti me sjelljet dhe veprimet e tij arbitrare dhe me shkeljen e Marrëveshjes qeverisëse.
Njerëzit e LDK-së pritet ta duan dhe ta respektojnë LDK-në.

LDK nuk ka dy zgjidhje, Thaçin apo Kurtin, siç po shprehen disa. Por e kanë një zgjidhje. E kanë vetëm LDK-në dhe Kosovën.

LDK nuk mburret që është unike vetëm kur ndanë pozita, por edhe kur sfidohet, pra kur duhet të solidarizihet me veprimtarët e saj që padrejtësisht atakohen, shpallen tradhëtar dhe etiketohen nga ata që shpresuam se do të qeverisim bashk.

Prandaj unë ju apeloj që ju që e duani LDK-në të jeni me LDK-në dhe me vendimet e saj.

Nuk është e natyrshne që dikush të jetë me LDK-në dhe kundër vendimeve të LDK-së. Kjo sjellje duhet të merr fund.