Liljana Tafa

Pas 5 ditësh e humbur, gjendet e mbytur në Seman 56-vjeçarja nga Fieri

Gjendet e vdekur 56-vjeçarja Liljana Tafa nga Zhupani i Fierit, e cila rezultonte e zhdukur që prej datës 5 dhjetor 2018.

Burime nga policia bëjnë me dije se rreth orës 19:00 të së hënës, në plazhin e Ndërnënasit, u gjet e mbytur në breg të detit shtetasja Liljana Tafa, 56 vjeçe. Dyshohet se gruaja në kushtet e depresionit është hedhur në lumin Seman.

Gruaja kishte dalë nga banesa mëngjesin e 5 dhjetorit për të hedhur plehrat dhe nuk u kthye më në banesë. Personi i fundit që kishte takuar, ishte një fqinje. Gratë kanë bërë një bisedë të shkurtër mes tyre dhe më pas janë larguar në drejtime të ndryshme. Fqinja i ka hënë bashkëshortit të Liljanës së atë ditë 56-vjeçarja dukej shumë e shqetësuar dhe se është nisur drejt Fierit.

Ajo nuk kishte marrë me vete as telefonin dhe familjarët janë alarmuar kur Liljana nuk është kthyer në banesë. Ata kishin bërë denoncim në polici dhe ndërkohë kërkimet nuk i ndalën për asnjë minutë.

Mbrëmjen e djeshme ajo është gjetur e pajetë dhe se dyshohet që bëhet fjalë për vetëvrasje. Gruaja prej kohësh vuante nga depresioni akut dhe se për këtë arsye kurohej.