Pas 22 vdekjeve, pesë pacientëve u përkeqësohet gjendja shëndetësore, tre vendosen në respiratorë

Me rritjen e rasteve të infektuara me virusin Covid-19 është rritur edhe numri i rasteve të hospitalizuara. Po ashtu, edhe numri i pacientëve në respiratorë po shkon duke u rritur.

Në spitalet rajonale dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sot janë të shtrirë 962 pacientë, nga të cilët 695 të konfirmuar me Covid-19. Nga ta, 15 janë në respiratorë, 45 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 684 me oksigjeno-terapi.

Numri i pacientëve në gjendje më të rëndë shëndetësore është rritur në krahasim me ditën e djeshme.

Të mërkurën 12 pacientë ishin në respiratorë dhe 43 në ventilim mekanik joinvazivë. Tre pacientëve i është përkeqësuar gjendja, andaj sot edhe ata janë vendosur në respiratorë, ndërsa dy pacientë të tjerë që ditën e djeshme ishin në gjendje më të mirë, sot janë me ventilator mekanik joinvaziv.

Përndryshe, vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 356 pacientë, nga të cilët të konfirmuar pozitiv me virus 296 persona, të konfirmuar negativ 13 persona ndërsa të pakonfirmuar 47 persona.

11 persona janë në respiratorë, 18 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 248 me oksigjen.

Në spitalet rajonale janë të shtrirë 607 persona, nga të cilët 399 të konfirmuar pozitiv, 90 të konfirmuar negativ dhe 117 të pakonfirmuar. 4 pacientë janë në respiratorë, 27 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 436 me oksigjen.

Në Spitalin e Prizrenit janë të shtrirë 177 persona, në Spitalin e Gjakovës 91, në Spitalin e Pejës 133, në Spitalin e Gjilanit 97, në Spitalin e Vushtrrisë 17, në Spitalin e Mitrovicës 38 ndërsa në Spitalin e Ferizajit 54 persona.