Elazig

Pas 19 orësh shpëtohet një grua nga rrënojat e tërmetit në Elazig

Një grua është shpëtuar nga rrënojat 19 orë pas shembjes së ndërtesës nga tërmeti në lagjen “Mustafa Paşa” në qytetin Elazig të Turqisë

Një grua është shpëtuar nga rrënojat 19 orë pas shembjes së ndërtesës nga tërmeti në lagjen “Mustafa Paşa” në qytetin Elazığ të Turqisë.

Ndërkohë vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit nën rrënojat e ndërtesave në lagjet “Sürsürü” dhe “Mustafa Paşa” të cilat u shembën gjatë tërmetit me magnitudë 6.8 ballë me epiqendër rajonin Sivrice në Elazığ.

Nga operacionet e kërkim-shpëtimit që zhvillohen në rajon nga ekipet, kryesisht të Agjencisë turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) dhe njësive shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë (UMKE), u shpëtua pas 19 orësh një grua nga rrënojat në një ndërtesë të shembur në lagjen “Mustafa Paşa”.

Gruaja e shpëtuar nga rrënojat u dërgua në spital nga ekipet e shërbimit emergjent 112.

Punimet e kërkim-shpëtimit nën rrënojat e ndërtesës së shembur nga tërmeti janë duke vazhduar.

Kujtojmë se nga tërmeti me magnitudë 6,8 ballë që goditi mbrëmë pjesën lindore të Turqisë humbën jetën 22 persona ndërsa mbi 1.000 të tjerë janë plagosur.