Partnerët ia ndaluan Haradinajt ta hidhte në votim dokumentin 30 faqe për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Ditë më parë, kryeministri Haradinaj propozoi një material rreth 30 faqe si marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë.

Por, ky dokument që po interpretohet si propozim i Qeverisë së Kosovës për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, vetëm ishte lexuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe nuk ishte hedhur fare për t’u votuar nga ministrat e koalicionit qeverisës.

Ballkani.info ka mësuar së ky dokument paraqet vetëm qëndrimet e kryeministrit Haradinaj, të cilat thuhet se i janë përgatitur nga disa këshilltarë të jashtëm në gjuhën angleze, por ai dokument nuk paraqet edhe qëndrimet e partnerëve të tjerë që e përbëjnë Qeverinë e Kosovës.

Haradinaj kishte provuar që ta marrë përkrahjen e partnerëve të tij të koalicionit për ta hedhur në votim këtë dokument dhe për ta zyrtarizuar si propozim të Qeverisë së Kosovës, por ata vetëm ia kishin lejuar që ta lexonte në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe assesi edhe që ta hidhte në votim, duke ia bërë të qartë se nuk do të votohej nga ministrat e tyre në kabinetin qeveritar.

Ballkani.info mëson se ky dokument rreth 30 faqe u është dërguar edhe ambasadave të huaja, të cilat fillimisht e kishin marrë si propozim të Qeverisë së Kosovës, pasi që u ishte përcjell nga Zyra e Kryeministrit, mirëpo më pas u ishte bërë e qartë nga partnerët e koalicionit qeverisës së kanë qenë vetëm qëndrime të Haradinajt dhe jo të partnerëve të tjerë që e përbëjnë Qeverinë e Kosovës, prandaj edhe nuk ishte hedhur fare në votim në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. /Ballkani.info/