Partitë opozitare as këtë herë nuk e votojnë projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

Në Kuvend të Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme për të shtatën herë me radhë do të tentohet që të votohet projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Por, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, sërish kanë dalë kundër votimit të këtij projektligji.

Deputeti nga radhët e VV-së, Hekuran Murati, ka thënë se VV mban qëndrimin e njëjtë dhe me këtë synojnë që ta ruajnë shtetin.

Murati tha se ky projektligj nuk përkon me përmbajtjen. Sipas tij zgjidhja duhet të jetë ndryshe dhe ajo është pakoja ekonomike emergjente e cila prekë të gjitha shtresat e shoqërisë.

“Ne vazhdojmë të kemi qëndrimin e njëjtë, ne vazhdojmë të ruajmë shtetin, ne vazhdojmë ta mbajmë qëndrimin e njëjtë, ne mendojmë që zgjidhja duhet të bëhet ndryshe, shembullin e kanë”, tha Murati.

Njëjtë edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se ky propozim gjithçka mund të quhet, vetëm pako ekonomike jo. Ai bën thirrje që të ndryshojë qasja e Qeverisë ndaj shumicës dhe të ulen e të bisedojnë për të bërë një zgjidhje sa më të mirë për të gjithë qytetarët.

“Republika e Kosovës ka nevojë për koordinim opozitë pozitë, mirëpo, si opozitë këtë gatishmëri nuk e kemi parë nga Qeveria, PDK’ja nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj”, ka thënë Tahiri.