Bisedimet mes kryetarëve të Partisë Demokratike të Italisë dhe Lëvizjes “Pesë Yjet” kanë vazhduar në orët e vona të së hënës. Ata po përpiqen ta arrijnë një marrëveshje për koalicion të ri qeveritar pa mbajtur zgjedhje të parakohshme.

Giuseppe Conte, kryeministër në largim i Italisë, mori pjesë në takimin mes kryetarit të Partisë Demokratike, Nicola Zingaretti, dhe homologut të tij në Lëvizjen “Pesë Yjet”, Luigi Di Maio. Besohet se kjo është shenjë që Zingaretti e ka pranuar kërkesën e partisë tjetër për ta kthyer Conte-n në pozitën e kryeministrit.

Nominimi i Conte-s, i cili javën e kaluar i dha fund koalicionit të paqëndrueshëm mes Lëvizjes “Pesë Yjet” dhe partisë së të djathtës ekstreme, “Lidhja, ka qenë njëri nga pengesat kryesore për arritjen e marrëveshjes për qeverinë e re.

“Është afër, por ende nuk është vendosur. Nëse Conte nominohet për kryeministër, ka mundësi që Lëvizja “Pesë Yjet” t’ia dhurojë disa ministri më shumë Partisë Demokratike”, tha një burim i afërt me këto negociata.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se janë në rrugën e duhur dhe se është optimist për arritjen e marrëveshjes për koalicionin e ri. Ai shtoi se nuk dëshiron që qeveria e re të jetë në pushtet vetëm për 14 muaj, njësoj si koalicioni i kaluar, shkruan “The Guardian”.

loading…