13 milionë euro do t’i kushtojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vetëm pagesa e stafit që do ta angazhojë për dy palë zgjedhje në vitin 2025: lokalet dhe parlamentaret. Shuma e përgjithshme, sipas anëtarëve të Komisionit, shkon deri në 22 milionë euro. Kështu u bë e ditur në mbledhjen e sotme të KQZ-së.

Në këtë mbledhje, është diskutuar për buxhetin e këtij institucionit, në prag të vitit zgjedhor, 2025.

Alban Krasniqi i Vetëvendosjes në KQZ, ka shpjeguar për ndarjen buxhetore për zgjedhjet lokale dhe parlamentare të vitit 2025, që sipas tij, vetëm për stafin e KQZ-së, shkojnë 13 milionë euro.

“Kemi shqyrtu kornizën afat-mesme të shpenzimeve dhe në bazë të fushëveprimit që kemi, kemi trajtuar prej këndvështrimit të angazhimit të përkohshëm të personelit zgjedhor, për dy procese zgjedhore që planifikohen për vitin e ardhshëm pra për vitin 2025.

Bazuar në këto projektsione, planifikohet që për dy palë zgjedhje për vitin që vjen, të jenë këto planifikime për angazhimin e personelit, sin ë numër ashtu edhe në shifra, për zgjedhjet parlamentare për nevojat e KQZ-së janë 234, për nevojat e QKN dhe KKZ janë 516 dhe si trupa menaxhuese të zgjedhjeve që janë të përfshirë direkt, është një numër prej 23 mijë e 188 personave.

Pra në tërësi, planfiikohen të angazhohen 23 mijë e 930 staf apo personel.

Kostoja totale e planifikuar për zgjedhjet parlamentare vetëm për stafin e angazhuar për 2025 e kap shifrën prej 4 milionë e 381 mijë euro.

Për zgjedhjet lokale ku përfshihen edhe dy runde, numri total i stafit do të jetë 23 mijë e 920 derisa kostoja e saj pothuajse është dyfishi për shkak se kemi dy procese në të njëjtën kohë por edhe rundin e dytë, kostoja totale e planifikuar për këtë organizim zgjedhjesh është 8 miilionë e 715 mijë euro.

Nëse i bashkojmë të dyja si shpenzime, kostoja totale e planifikuar që merr për organizimin e zgjedhjeve është 13 milionë euro, si përkufizim, pra si shumë e planifikuar”, ka thënë Krasniqi, shkruan Nacionale.

Një ndërhyrje ‘alla sami-kurteshiane’, ndodhi në këtë rast, ku anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, pyeti z.Krasniqi, se a e kanë parapa që zgjedhjet mund të mbahen edhe këtë vit, meqë sipas tij, ‘opozita nuk po nalet hiç’.

“Një pyetje për kolegun, ndoshta të opozitës nuk ma zajnë për të madhe, po dëgjoj që ka zhurmë, jo zgjedhje të parakoshme, a janë bë planifikime veç për vitin 2025, me bo me ngja diçka në vitin 2024, a janë planifiku se opozita s’po nalet hiç”, tha Kurteshi.

Një anëtar i opozitës në KQZ, u dëgjua t’i thotë z.Kurteshi në këtë rast: “Veç çona në zgjedhje”.

Situatën e ‘relaksoi’ Alban Krasniqi këtu, duke deklaruar:

“Projeksionet janë bë për vitin 2025, edhe në rast se kemi zgjedhje më herët, ose nëse shpallen zgjedhjet në shtator apo tetor, nuk janë të projektume shpenzimet për këtë vit”.

Rikujtojmë që sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka publikuar një raport për të hyrat e partive politike, ku prin Lëvizja Vetëvendosje me mbi 2 milionë euro të hyra për vitin 2023.

Sipas raportit, Lëvizja Vetëvendosje del të jetë partia më e pasur në Kosovë, me 2 milionë e 98 mijë euro të hyra për vitin 2023.

Shpenzimet e kësaj partie për vitin 2023, kanë qenë mbi 1 milion euro.

PDK është partia e dytë sa i përket të hyrave financiare, me mbi 800 mijë euro të hyra, kurse sa i përket shpenzimeve, PDK ka mbi 400 mijë euro shpenzime, ose 431 mijë e 824 euro.

Në raportin që KQZ shkruan se është ende i pa audituar, LDK figuron si partia e tretë sa i përket financave, me 723 mijë e 169 euro.

Shpenzimet e LDK-së për vitin 2023, kanë qenë 268 mijë e 16 euro.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në vitin 2023 kishte vetëm 280 mijë euro të hyra kurse të shpenzuara, ka deklaruar 268 mijë e 16 euro.

VIDEO BONUS: