Pas sulmit ne Arabi Saudite

Parashikohet rritje e konsiderueshme e çmimit të naftës

Çmimi i naftës pritet që të rritet pas sulmeve të fundjavës mbi dy fabrikat kryesore të përpunimit të saj në Arabinë Saudite, derisa analistët kanë thënë se një fuçi nafte do të ofrohet për pesë deri në dhjetë dollarë më shumë pas hapjes së tregjeve të hënën dhe të mbërrijë deri në 100 dollarë për fuqi, po qe se eksportuesja më e madhe botërore nuk arrin ta rikthejë furnizimin, transmeton Reuters.

Houthit, krah i Iranit në Jemen, e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin mbi dy fabrikat kryesore të industrisë së naftës në Arabinë Saudite të shtunën, të cilat e kanë përgjysmuar prodhimin e naftës në këtë mbretëri, veprim ky që pritet të ngritë si çmimet e naftës, ashtu edhe tensionet në Lindjen e Mesme. Arabia Saudite është eksportuesja më e madhe botërore e naftës, që dërgon më shumë se shtatë milion fuçi naftës tek destinacionet botërore për çdo dite.

Teksa Houthit e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ia ka vënë fajin Iranit, duke shkruar në “Twitter” se “nuk ka prova që sulmet kanë ardhur nga Jemeni”.

Analistë të shumtë i kanë thënë Reutersit se sulmet e të së shtunës do të testojnë kapacitetet globale për t’u përballur me një krizë në ofertë, përballë humbjes prej më shumë se pesë për qind të ofertës globale nga eksportuesi më i madh i naftës së papërpunuar. Ata presin një ngritje çmimesh prej disa dollarësh për fuçi, teksa kriza mund t’i detyrojë SHBA-në dhe shtetet tjera që të ofrojnë naftën e papërpunuar nga rezervat e tyre strategjike, për ta stabilizuar ofertën globale. Departamenti amerikan për Energjetikë ka thënë të shtunën se është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë, po qe se është nevoja.

Burimet në industri kanë thënë se mund të duhen javë që prodhimi të rikthehet në binarë.

“Çmimet e naftës së papërpunuar mund të ngrihen për së paku 15-20 dollarë për fuçi, në rast se telashet vazhdojnë për shtatë ditë, derisa mund të shkojnë në shumë treshifrore, në rast se gjërat nuk normalizohen brenda tridhjetë ditësh”, ka thënë Bob McNally, analist nga “Rapidan Energy”.

*Nesër në “Koha Ditore” më gjerësisht për efektet e sulmit terrorist në çmimin global të naftës.