Paraqitja e parë për këtë vit në konferencë – Çka deklaroi Gërvalla për rastin Berishaj, njohjet, Këshillin e Evropës, Francën dhe Serbinë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është deklaruar rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, kohëzgjatjes së këtij procesi, po ashtu edhe për atë se a e ka Kosova përkrahjen e Francës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Gjatë një konference për media, Gërvalla tha se, nuk ka një ide se sa mund të zgjasë procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, pasi që anëtarësimi si proces në këtë organizatë disa shteteve ju ka marrë kohë të ndryshme, raporton lajmi.net.

“Sa i përket afateve brenda se cilave mund të arrihet anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës, thash që është proces i gjatë. Ne kemi bërë hapin e parë, e që është aplikimi. Do të filloj një dialog mes Kosovës dhe KE rreth kushteve që mund t i vihen Kosovës për një anëtarësim të tillë. Nuk kemi një indikator se në bazë të cilit mund të themi se zgjatë një vjet, apo disa muaj, po hapi i parë ka qenë aplikimi”, ka thënë ministrja.

E pyetur rreth raportimeve që kanë ardhur pala serbe se kinse ka shtete që e kanë çnjohur pavarësinë e Kosovës, Gërvalla u deklarua se nuk ka asnjë informacion për këto raportime, ku edhe ka shtuar se në disa shteteve afrikane, u janë ofruar gjëra të ndryshme, nga armë ruse, vaksina ruse e deri tek sheqer, në mënyrë që ato të tërheqin njohjen për Kosovën, por që diçka e tillë s’ka ndodhur.

“Nuk kemi as një informacion për çnjohje, por këto raportime, tregojnë së lajmi ose është jo i vërtete ose ata po punojnë për çnjohje nga shtete të ndryshme. Në kontinentin afrikan ka pasur oferta, për armë ruse, vaksina ruse por për çudi edhe sheqer, këto kanë qenë ofertat në mënyrë që ato ti tërheqin njohjet për Kosovën, por asnjë nga këto shtete nuk e ka larguar njohjen për Kosovën”, shtoi ajo.

Tutje, ajo shtoi se, edhe Serbia duhet ta përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës nëse, siç tha Gërvalla, Serbia interesohet më të vërtetë për qytetarët në Kosovë që janë me kombësi serbe.

“Ky është hap i rëndësishëm edhe për qytetarët më kombësi serbe. Njohje të reja, ne po punojmë në këtë drejtim, por nuk japim informacion se deri ku jemi në këtë proces, kemi lajme të mira, kemi lëvizje, po punojmë me pesë shtetet e BE po punojmë në mënyrë të posaçme, sepse ato njohje do të ishin edhe hapje e barrierës për anëtarësim në BE”, vazhdoi tutje ministrja.

E pyetur nëse edhe Franca e përkrahë anëtarësimin në Këshill të Evropës, ajo tha që nuk ka asnjë informacion nëse Franca ka dilema rreth kësaj çështjeje.

“Neve na është thënë që Franca e mbështetet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ne s’kemi asnjë informacion zyrtar që Franca ka dilema për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Ne kemi mbështetje edhe me shkrim nga shtete për anëtarësimin në Këshill të Evropës. Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evopës është mirë edhe për Evropën”, ka deklaruar ajo.

Sa i përket darkës jo formale ku ajo morri pjesë me liderët e tjerë ta Ballkanit, Gërvalla tha se, darka ka qenë e frytshme.

“Unë shkova për ta përfaqësuar Kosovën, biseda gjatë darkës ka qenë e frytshme por që në shkurt të këtij viti gjërat kanë ndryshuar në Evropë dhe Ballkani duhet të jetë pjesë integrale e strategjisë së Bashkimit Evropian”, vijoi ajo.

Për rastin e Martin Berishajt, ajo tha se ka biseduar me ambasadorin, duke shtuar se deri tani nuk ka asnjë indikacion që kjo akuzë mund të kenë diçka të vërtetë në të.

“Berishaj ka qenë në ministri, kemi biseduar gjerë e gjatë për kampanjën të cilën ende e shohim si të bazuar në një shkrim të një mediumi slloven i cili pastaj ka marrë dhëne. Unë kam biseduar me autoritete te ndryshme dhe deri në këtë moment nuk ka asnjë indikacion që akuza mund të ketë diçka të vërtetë në të”, tha Gërvalla.

Përndryshe, nga ora 19:00 të premten Gërvalla do të takohet me emisarin special nga Gjermania për çështje të Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin.