Paraqitej si polic, ngacmonte dhe tentonte kidnapimin e të miturave, arrestohet 35 vjeçari në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Mashtrim”, “Prezantim i rrejshëm” dhe për dy raste të ngacmimit seksual.

Sipas policisë së Kosovës, rasti është raportuar gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2020, shkruan lajmi.net.

Lajmi.net ditëve të fundit ka pranuar informacione për personin në fjalë i cili paraqitej si polic dhe tentonte kidnapimin dhe përdhunimin e vajzave, sidomos atyre në moshë të mitur.

Lidhur me këto informacione, lajmi.net ka dërguar pyetje në polici vazhdimisht, derisa dje personi në fjalë është arrestuar nga hetuesit policorë të stacionit të Jugut në Prishtinë.

Policia njofton se i dyshuari 35 vjeçar, me inicialet R.S është i dyshuar me bazë të jetë i përfshirë në veprat e sipërpërmendura.

I njëjti, nga policia pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorisë është dërguar në qendrën e mbajtjes, derisa po ndërmerren të gjitha veprimet procedurale.

“Me datën 05.06.2020 nga hetuesit policor të stacionit të Jugu në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar për veprat Mashtrim Prezentim i rrejshëm dy raste Ngacmim Seksual (të raportuara në prill -maj 2020 )dhe një rast të Dhunimit të raportuar në vitin 2018. I dyshuari R.S (mashkull) 35 vjeç, i cili dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në veprat e sipërshënuara, pas marrjes së autorizimit nga ana e prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes, ndërkohë që hetuesit policor janë duke ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme procedurale.”, sqaron Policia për lajmi.net.

Personi në fjalë, sipas informacioneve të bazuara kishte vazhduar aktivitetet e tij kriminale edhe gjatë kohës së pandemisë në Kosovë, deri në ditën e arrestimit.