Presidenti ukrainas

Parandalohet atentati ndaj Zelenskyt, pjesëtarët e inteligjencës ukrainase arrestojnë agjentët rusë – planifikonin rrëmbimin dhe vrasjen e tij

Shërbimi ukrainas i sigurisë (SBU) ka njoftuar se ka parandaluar një komplot rus për të vrarë presidentin Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë ukrainas.

Siç raporton BBC, dy pjesëtarë të njësisë së mbrojtjes së qeverisë ukrainase janë arrestuar.

SBU tha se ata ishin pjesë e një rrjeti agjentësh që i përkisnin shërbimit rus të sigurisë shtetërore (FSB).

Ata thuhet se kishin kërkuar për “ekzekutues” të gatshëm midis truprojave të Zelensky për ta rrëmbyer dhe vrarë presidentin ukrainas.

Objektivat e tjerë përfshinin kreun e inteligjencës ushtarake Kyrylo Budanov dhe shefin e SBU, Vasyl Malyuk, shtoi agjencia ukrainase e sigurisë.

Grupi thuhet se kishte planifikuar të vriste shefin e inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Budanov, përpara Pashkëve Ortodokse.

Sipas SBU, grupi po planifikonte të përdorte një “sinjalizues” për të marrë informacion rreth vendndodhjes së tij, të cilin më pas do ta sulmonin me raketa dhe dronë.

Një nga oficerët që u arrestua më vonë kishte blerë tashmë dronë dhe mina kundër personelit, tha SBU.

Kreu i SBU, Vasyl Malyuk tha se sulmi supozohej të ishte “një dhuratë për Putinin përpara inaugurimit”.

“Operacioni u shndërrua në një dështim të shërbimeve speciale ruse. Por ne nuk duhet të harrojmë – armiku është i fortë dhe me përvojë, ai nuk mund të nënvlerësohet”, shtoi Malyuk.

Dy zyrtarët ukrainas po mbahen nën dyshimin për tradhti dhe përgatitje të një akti terrorist.

SBU tha se tre punonjës të FSB-së mbikëqyrën organizimin e sulmit.