Infektologu

Paralajmëron Infektologu Sadiku: Mosrespektimi i masave, rrezikon sërish kthimin e virusit në shtator

Infektologu kosovar, Izet Sadiku ka deklaruar rreth rrezikut që mund të kanoset në vendin tonë si pasojë e mosrespektimit të masave, pas rritjes së numrit të rasteve pozitive me koronavirus së fundmi në Kosovë.

Sadiku në një prononcim për Telegrafin ka thënë se rritja e rasteve në dy ditët e fundit, tregon se ende nuk është fituar lufta me pandeminë COVID-19.

Sadiku thotë se është e domosdoshme që të vazhdohet me respektimin e masave të propozuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, duke shtuar se në rast se nuk respektohen këto masa, ekziston rreziku i kthimit të virusit prapë në shtator.

“Nëse nuk respektohen masat e propozuara për ruajtjen e distancës dhe përdorimi i maskës dhe nëse kemi grumbullime të njerëzve ekziston rreziku për rritjen e numrit të rasteve të reja që do të ndikonte që masat e lirimit të propozuara nga MSH të bëhen të diskutueshme për fazat tjera. Ju e dini se të gjitha hulumtimet tashmë kanë paralajmëruar se ekziston rreziku i kthimit të virusit prapë në shtator , dhe deri sa të zbulohet një vaksinë efikase jemi të detyruar të jetojmë me virusin duke respektuar dhe zbatuar maksimalisht masat e propozuara nga IKSHP-ja”, ka thënë Sadiku.

Infektologu u ka bërë apel qytetarëve që të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 duke mbajtur distancën dhe duke përdorur maskat, duke mos dalë pa nevojë dhe duke mos u grumbulluar në takime familjare ose të punës.

“Duhet kuptuar se bota do të jetë ndryshe pas COVID-19!”, tha Sadiku.

Deri më tani numri i personave të prekur me COVID-19 ka arritur në mbi 884, të shëruar janë 655, ndërkaq 28 persona kanë humbur jetën.