Greva

Paralajmërohen greva në arsim

Punëtorët e arsimit në Kosovë nuk po e përjashtojnë mundësinë që të shkojnë në greva të përgjithshme. Ata nga institucionet e Kosovës po kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre.

Qysh para fillimit të vitit të ri shkollor, punëtorët e arsimit kishin paralajmëruar se nëse nuk rregullohet çështja e pagave të tyre, si dhe nëse nuk votohet në lexim të dytë projektligji për punëtorët e arsimit shqip të viteve të 90-ta, do të shkohet në grevë dhe kolaps të këtij sektori, shkruan lajmi.net.

Më shumë se një muaj nga fillimi i vitit shkollor, kërkesat e tyre ende nuk janë plotësuar.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë sot për lajmi.net se punëtorët e arsimit janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përkatëse.

Ai paralajmëron se nëse tregohet neglizhencë nga të njëjtat, arsimi mund të shkojë në grevë.

“Ne jemi në takime me deputetë të Komisionit për Arsim. Ne vazhdimisht jemi në takime. Ata janë në përfundim të punës, por ka pasë reagime nga palët gjatë debatit publik, dhe është krijuar një panikë tek çështja e implikimeve buxhetore. Unë besoj që deri kah mesi i tetorit do të dërgohet në lexim të dytë”, ka thënë ai.

Tutje, Jashari ka thënë se SBASHK-u është kundër koeficionetit të përcaktuar për punëtorët e arsimit në Ligjin për Pagat.

Ai madje ka tërhequr vërjetjen se nëse asnjëra nga këto kërkesa nuk plotësohet, nga ana e tyre mund të ketë edhe veprime sindikale.

“Ne jemi kundër ligjit për pagat, kemi pasur takime me kryeministrin për përmirësimin e koeficientit. Nëse ligji për pagat shkon në dëm të arsimtarëve, ose neglizhohet votimi në lexim të dytë i projektligjit për punëtorët e arsimit shqip, ne do të shkojmë në greve”, ka thënë në fund Jasharaj.

Kujtojmë se projektligji për punëtorët e arsimit të viteve të 90-ta ka kaluar në lexim të parë në Kuvend.

Nga ministria e Financave kishin shprehur shqetësimet për koston që mund të ketë ky projektligj./