Ylli i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, gjatë afatit kalimtar të janarit sipas të gjitha gjasave do të transferohet nga Verona në Napoli.
Gjiganti italian për këtë transferim pritet t’i derdhë rreth 12 milionë euro në xhirollogarinë e Veronës.
Por, mbetet e paqartë nëse ndonjëri prej klubeve të tij të mëparshme do të fitojë diçka nga ky transferim goxha i shtrenjtë.
Janë tri klube shqiptare dhe dy kroate në lojë me mundësinë për të fituar diçka. Dy nga to janë prej Kosovës.
Rrahmani kishte luajtur si i ri për Ramiz Sadikun e Prishtinës. Pastaj, nga viti 2011 deri në vitin 2013 ishte bërë i njohur duke luajtur për Drenicën.
Ndërkohë, në vitin 2013 kishte përfituar Partizani i Tiranës, i cili e kishte marrë Rrahmanin nga futbolli kosovar, i cili atëherë ishte i papranuar në UEFA dhe FIFA dhe klubet kosovare ishin të pambrojtura në raste të tilla.
Rregullat thonë se një përqindje nga çdo transferim i takon klubit amë, por në këtë rast si Ramiz Sadiku ashtu edhe Drenica e ndjejnë veten klube amë të Rrahmanit.
Po ashtu edhe Partizani, prej të cilit Rrahmani kishte kaluar si i lirë në RNK Split. Nga aty ishte shitur në Dinamo Zagreb dhe Partizani kishte fituar jashtëzakonisht pak, vetëm një për qind. Ndërsa, nga Dinamo Zagrebi kishte kaluar te Verona, ku u bë ndër më të dalluarit në Serie A.
Por, mbetet e paqartë se kush do të përfitojë nga transferimi i tij 12 milionësh në Napoli.







