Lionel Messi vazhdon të mahnisë botën me golat e tij, teksa luan me Barcelonën.

Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” duket pranë titullit të radhës në La Liga, ndërsa mbetet në lojë, bashkë me katalanasit, edhe në dy kompeticionet e tjera sezonale: Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve.

Shpesh, kur flasim për të, përdorim shprehjen “Zoti i futbollit”.

Ky lloj pseudonimi, sipas Papa Françeskut, i intervistuar nga Jordi Evolè, gjatë programit “Salvados”, duhet të konsiderohet si një sakrilegj. Megjithëse, në të njëjtën kohë, Papa pranon se kjo është një mënyrë për të folur për njerëzit e zakonshëm:

“Eshtë sakrilegj të thuash se Messi është Zoti, flas në teori. Nuk mund ta themi këtë, nuk e besoj. Domethënë, njerëzit thonë se ai është Zoti, sepse e adhurojnë për atë që bën në fushë. Pra, për njerëzit është e zakonshme të thuhet se ai është një Zot me topin në këmbë. Është e bukur ta shohësh atë duke luajtur, por nuk është Zoti”.

Në sezonin aktual, argjentinasi, duke llogaritur të gjitha garat, ka luajtur 38 ndeshje dhe ka shënuar 41 gola. 31 prej tyre në La Liga dhe 8 në Ligën e Kampionëve.