Dy zhurma shurdhuese i shqetësuan të premten natën njerëzit në rajonet gjermane të Bavarisë dhe Thuringisë. Dhjetëra thirrje telefonike u regjistruan nga policia dhe zjarrfikësit. Çfarë ndodhi në qiell?
Për këtë shqetësim ishte përgjegjëse ushtria gjermane, pasi u detyrua ta niste fluturimin e disa aeroplanëve luftarakë “Eurofigher” me shpejtësi supersonike pas një alarmi për rrezik ndaj territorit të vendit, raporton gazeta “Bild”.
“QRA-ja [Quick Reacton Alert –Alarmi për Reagim të Shpejtë] nga Neuburgu e aktivizoi fluturimin A dhe ngriti aeroplanë supersonikë drejt një aeroplani civil që po fluturonte drejt Gjermanisë pa radio-kontakt me kontrollin e trafikut ajror”- tha Forca Ajrore e Gjermanisë në rrjetin X.
Unsere QRA aus Neuburg ist zu einem A-Scramble aufgestiegen und im Überschall an eine zivile Maschine, die ohne Funkkontakt zur Flugsicherung nach 🇩🇪 einflog, herangeflogen. Nach einem Cockpit Check wurde der technische Fehler behoben. Wir haben noch bis zur 🇵🇱 Grenze eskortiert. pic.twitter.com/RVhJmkyu16
— Team Luftwaffe (@Team_Luftwaffe) December 8, 2023
QRA-ja është ekip gjerman i alarmit që zakonisht përbëhet nga dy ose tre aeroplanë luftarakë. Fluturimi A nënkupton “Fluturim Alfa” dhe përdoret në rast të fillimit të një alarmi që kërkon reagim sa më shpejtë që është e mundshme.
Forca Ajrore shpjegoi: “Pilotët vrapuan drejt aeroplanëve luftarakë. Pak më vonë, aeroplanët “Eurofighter” i shpuan retë me flakën pas tyre.”
Zhurma u dëgjua nga banorët nga Neuburgu në Bavari deri në Suhl të Thuringisë, rreth 200 kilometra larg mes vete.
“Fillimisht menduam se ishte një shpërthim në zonën e Bambergut”- shkroi një përdorues i rrjetit X.
“Na dhatë një frikë të vërtetë. Gati m’u thyen dritaret dy herë”- shkroi dikush tjetër.
Qendra e operacioneve policore në Thuringia raportoi për shumë telefonues të frikësuar. “Njerëzit raportuan për disa zhurma të mëdha dhe për dritaret që dridheshin”- tha një zëdhënës i policisë.
Pak më vonë, autoritetet e siguruan situatën. Pilotët arritën që të komunikonin mes vete në ajër përmes përdorimit të simboleve ndërkombëtare. Dukej se ishte thjesht një gabim. Aeroplani i huaj u përcoll nga aeroplanët luftarakë deri në kufirin me Poloninë.







